Postuar më: 20/03/2018

Çështja e diasporës, në parlamentin britanik

03095cce 669f 4133 8b28 5d93430b5d2f

Çështja e diasporës shqiptare shkon në dyert e parlamentit britanik. Në ambientet e organit më të lartë legjislativ të Mbretërisë së Bashkuar, Ministri Pandeli Majko u takua me deputetë britanik, ndër të cilët laburisti John Grogan, njëkohësisht kryetar i grupit gjithë partiak të miqësisë Shqipëri-Britani, z. Andrew Francis Slaughter, z. Martin Vickers, z. John  Whittingdale, znj. Seema Malhotra etj. Ministri Majko u tha parlamentarëve se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit e kanë afruar Shqipërinë me shtete dikur të largëta, duke u kthyer në urat më të mira lidhëse. Duke përmendur numrin e madh të shqiptarëve të suksesshëm që jetojnë në Britaninë e Madhe, z. Majko tha se i detyroheshin atyre mbështetje maksimale. Ministri falënderoi politikanët për rolin e tyre në krijimin e mundësive për diasporën tonë atje. Duke u ndalur tek arsimi, z. Majko vlerësoi mbështetjen që u është dhënë iniciativave për ngritjen e shkollave shqipe por kërkoi që të mundësohet përfshirja e mësuesëve shqiptarë në sistemin shtetëror të arsimit.

“Shqiptarët duhet të jenë pjesë e së tërës”, ishte komenti i Ministrit, i cili e vuri theksin tek shmangia e veçimit apo identitetit të dyfishtë.

 

Gjatë takimit, deputetët i drejtuan pyetje Ministrit lidhur me strategjinë e shtetit shqiptar për diasporën dhe synimin për t’u garantuar emigrantëve të drejtën e votës. Z. Majko i informoi ata mbi hapat e ndërmarrë deri më tani, duke përmendur ligjin për Agjencinë Kombëtare të Diasporës, krijimin e Nënkomisionit për Diasporën dhe Migracionin dhe Komitetin Shtetëror për Diasporën. Ai tha se po fokusoheshin në një strategji për kanalizimin e remitancave tek investimet. Sa i përket çështjes së votës Ministri tha se bëhej fjalë për një sfidë ambicioze, konsideruar numrin e madh të shqiptarëve jashtë vendit, por shtoi se mes palëve politike ka konsensus mbi këtë çështje. Ai i njohu ligjvënësit britanik me disa prej opsioneve që janë në tryeze. Ndërkaq, deputetët shprehën vullnetin për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare për çështje që shqetësojnë komunitetin tonë atje, duke rikonfirmuar gjithashtu mbështetjen e plotë të Britanisë së Madhe në rrugën e integrimeve evropiane.

 

Të rejat e fundit