Diaspora e vjetër shqiptare në botë

Historiku i Diasporës shqiptare

Historiku i Diasporës shqiptare është i hershëm. Vetë pozita e vendit ku jetojnë shqiptarët, është e tillë që i bën ata të lëvizin në drejtime të ndryshme. Diaspora shqiptare është bukur heterogjene në dy pikëpamje, në pikëpamje të kohës së mërgimit si dhe në pikëpamje të regjionit prej nga kanë ardhur. Shikuar nga aspekti kohor, bashkësitë më të vjetra shqiptare i përbëjnë arbëreshët në Itali dhe arvanitët në Greqi. Të parët kanë arritur që për shekuj të ruajnë idenitetin e tyre, kurse të dytët, fatkeqësisht tash janë në fazën përfundimtare të asimilimit të plotë, edhe pse mbase ka shpresë që edhe kjo bashkësi të njohë një ringjallje sado të vogël. Në radhën e këtyre bashkësive të vjetra mund të hyjë pa mëdyshje edhe bashkësia shqiptare e Egjiptit. Pas këtyre vijnë bashkësitë shqiptare në Turqi, SHBA, Belgjikë, Australi e në ndonjë vend tjetër. Të fundit vijnë mërgimtarët e katër dekadave të gjysmës së dytë të shek. XX, një ekzod që për fat të keq vazhdon ende dhe e dëmton rëndë qenien tonë kombëtare. Shumica e tyre janë vendosur apo bëjnë përpjekje të vendosen në shtetet e ndryshme të Evropës Perëndimore, në SHBA dhe Kanada. Këtu vlen të përmendim edhe 500 mijë qytetarë të Shqipërisë, të cilët në fillim të viteve nëntëdhjetë, pas hapjes së Shqipërisë ndaj botës, u shpërgulën në Greqi, Itali si dhe në vende të tjera evropiane.
Varësisht nga koha e mërgimit, ndryshojnë edhe rrethanat e mërgimtarëve tanë, por mund të thuhet se ata që janë më të hershëm në mërgim, kanë mundësi të ofrojnë një përvojë që do t’u ndihmonte atyre që kanë ikur më vonë, në shumë aspekte, kurse mërgimtarët e vonshëm mund të freskojnë diasporën me ndjenja më të freskëta kombëtare. Kuptohet, ata që e migrojnë më vonë, të vetmen mbështetje në fillim kanë tek ata që kanë emigruar më herët.
Në Diasporën tonë aty – këtu vërehen përpjekje që ndarjet që i janë imponuar popullit shqiptar në trojet e veta, të barten dhe të projektohen edhe në vendet e migrimit. Shpesh na bie të dëgjojmë të flitet për shqiptarët të Shqipërisë, shqiptarë të Kosovës, të Çamërisë, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Preshevës e kështu me radhë.
Ky lloj organizimi nganjëherë mund të vërehet edhe në kuadër të disa komunave a qyteteve prej nga janë shpërngulur shqiptarët. Ky organizim mund të vërehet në mënyrë të veçantë në diasporën tonë në Turqi, që funksionon në kuadër të klubeve kulturore apo shoqërive artistike.

Arbëreshët e Italisë

Ashtu siç e thamë edhe më lart, arbëreshët e Italisë paraqesin diasporën tonë më të vjetër, por ndoshta edhe më besnike, e cila ruajti traditat kombëtare brez pas brezi për pesë shekuj me radhë. Nga gjiri i saj dolën figura patriotike, të cilat lanë gjurmë të thella në historinë e kulturës sonë mbarëkombëtare. Me këtë rast mjafton të përmendim Jeronim de Radën si një figurë tejet e rëndësishme e kulturës dhe krijimtarisë sonë letrare. Po ashtu nuk mund të harrojmë pa përmendur edhe Garibaldin, i cili kur vendosej për fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në përfundim të shekullit XIX-të e ngriti zërin shumë lartë për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare.

Ë shtë vështirë të dihet se cili është numri i vërtetë i arbëreshëve që jetojnë sot në Itali2. Mirëpo, sipas disa të dhënave, pas vdekjes së Skënderbeut, nga Shqipëria në Itali u shpërngulën 200.000 shqiptarë, të cilët u vendosën në Italinë Jugore, ku tani në Kalabri gjenden 180.000 arbëreshë të vendosur në 43 fshatra, dhe në Sicili 120.000 arbëreshë të vendosur në 36 fshatra.

Shqiptarët e Egjiptit

Në Egjipt që nga fillimi i shekullit XVIII, me vendosjen e Mehmet Ali pashës si vali i Egjiptit, numri i shqiptarëve atje ishte rritur vazhdimisht. Dinastia shqiptare e Mehmet Ali pashës kishte sunduar vendin e faraonëve për 150 vjet, nga viti 1805 deri më 1952. Meqenëse shumica e tyre ishin ushtarë, ata ishin shpërndarë edhe nëpër vise të tjera, si në Palestinë, Siri, Liban, Libi, Hixhaz, Jemen e Sudan. Këtë më së miri e vërtetojnë pasardhësit e shumë familjeve me origjinë shqiptare që jetojnë sot atje me mbiemrin Arnauti ose El-Albani.
Në Egjipt në fillim të shekullit njëzet ishte zhvilluar një veprimtari e gjerë e kulturës shqiptare, në veçanti në lëmin e publicistikës shqiptare, ku kishin parë dritën një numër i konsideruar i gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe. Vlen të theksohet se gazetat si “Toska”, “Besa”, “Sëpata”, “Shkreptima”, botoheshin vetëm në Kairo, por edhe në qytetet e tjera më të vogla të Egjiptit, siç ishte qyteti Fejum, që tregon praninë e madhe të shqiptarëve në atë kohë në Egjipt. Po ashtu vlen të theksohet se bartës të aktiviteteve kulturore me një numër të madh ishin edhe shqiptarët e besimit ortodoks. Në Egjipt jetuan dhe vepruan edhe shkrimtarët tanë të mëdhenj Andon Zako – Çajupi, Filip Shiroka dhe Aleksandër Xhuvani.

Shqiptarët e Turqisë

Nuk ka dyshim se numri më i madh i shqiptarëve në periudha të ndryshme kohore është shpërngulur në Turqi. Shqiptarët në Turqi3 u vendosën në Stamboll, Izmir, Bursë, Manisë, Ajdin, Çanakala, Adapazar, Ankara, Kajser, Qemajl – Pasha, Bafër etj. edhe në 300 fshatra të Anadollit. Ata tejkalojnë numrin 1.500.000. Nëse llogaritet shtimi i tyre natyror, numri i tyre sot duhej të arrinte në 6.200.000(!).
Ndër personalitete4 të rëndësishme të kohës, që kanë jetuar dhe vepruar në Stamboll, mund të përmendim Pashko Vasë Shkodranin (1825-1892), Abdyl Frashërin (1839-1892) dhe dy vëllezërit e tij – Naimin (1846-1900) dhe Samiun (1850-1904), Namik Qemalin (1840-1888), shkrimtar i lindur në Tekirda, Abidin Pashë Dinon (1843-1908), Ismail Qemalin (1846-1919) si dhe shumë personalitete të tjera.

Shqiptarët e Amerikës

Për nga rëndësia, diaspora shqiptare e Amerikës zë një vend të privilegjuar, për shkak se vetë Amerika gëzon sot një vend të priveligjuar në botë.
Numri i shqiptarëve të diasporës është rritur, sidomos vitet e fundit, megjithëse shifra të sakta nuk ka dhe nuk kanë për t’u gjendur kurrë, për arsye se një pjesë e madhe e tyre kanë hyrë me pasaporta jugosllave, turke, greke, dhe në statistikat e INS (Zyrës së Imigracionit) figurojnë si të tillë. Kjo bën që regjistrimi i shqiptarëve të jetë gati i pamundur në këtë hapësirë.

Shumicën e shqiptarëve sot janë të përqendruar në Nju-Jork dhe lirisht mund të thuhet se ai është kryeqendër e diasporës shqiptare në Amerikë, që do të thotë se ka zënë vendin e Bostonit. Sot në Nju-Jork ka shkolla shqipe, jeta fetare ka marrë hov të madh me ndërtimin e vrullshëm të objekteve fetare të të gjitha besimeve, të cilat shërbejnë si vend tubimi dhe edukimi për shqiptarët e diasporës në Amerikë. Ato shërbejnë si qendra për edukimin shpirtëror të shqiptarëve si dhe qendra shkollore për mësimin e gjuhës shqipe. Vetëm në qytetin e Nju-Jorkut me rrethinë janë ndërtuar disa xhami. Pak vite më parë në Staten Island të Nju-Jorkut u hap një ndër xhamitë më të mëdha në SHBA, e cila në të njëjtën kohë shërben edhe si qendër shkollore e parë e këtij lloji për shqiptarët e SHBA-së. Në Amerikë edhe në të kaluarën, por edhe tash botohen gazeta e revista të ndryshme, të cilat janë mjeti më i mirë për mbajtjen e lidhjeve ndërmjet komunitetit shqiptar në Amerikë.
Diaspora në Amerikë, kohët e fundit është shumë aktive në sferën e politikës amerikane dhe kjo luajti rol tejet të rëndësishëm rreth njohjes së Administratës amerikane dhe opinionit amerikan me çështjen shqiptare. Për këtë qëllim në SHBA vepron lobi shqiptar i përfaqësuar në LQSHA (Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane) nën udhëheqjen e Xhozef Diogardit, si dhe NAAC me seli në Uashington, në krye të së cilës janë Ilir Zherka dhe Afërdita Rakipi; qëllimi i këtyre lobeve është komunikimi për së afërmi me Qeverinë Amerikane për kauzën shqiptare.

Shqiptarët në Evropë

Këtu nuk duhet harruar as disaspora shqiptare në shtetet e Evropës Perëndimore, e vendosur atje në vitet gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë të shekullit të kaluar për të gjetur punë. Me kalimin e kohës dhe me keqësimin e situatës në trojet shqiptare, ata morën dhe familjet e tyre. Kjo bëri që ata të mendojnë për një qëndrim më të gjatë në ato vende, ndërsa brezi i dytë për qëndrim të përhershëm. Shumica e emigrantëve në vendet e Evropës Perëndimore janë nga Kosova, Maqedonia, Presheva dhe Mali i Zi.

Mu për këtë arsye vitet e fundit u hapën shkolla të shumta në gjuhën shqipe në ato vende ku shqiptarët ishin më shumë. Por, në të njëjtën kohë, për të ruajtur identitetin fetar, u morën shumë iniciativa për hapjen e xhamive, nëpër të cilat kryheshin obligimet fetare dhe ato shërbenin si qendra kulturore. Numri i këtyre sa vjen e rritet nga viti në vit. Nëpër ato qendra punojnë djem të rinj që kanë kryer fakultete islame nëpër universitete të ndryshme të Botës Islame. Përveç njohjes së gjuhës amtare, ata mësojnë edhe gjuhët e vendeve ku jetojnë dhe veprojnë, që të jenë në gjendje të komunikojnë me banorët vendës. Qendrat islame në këto vende mbajnë lidhje të vazhdueshme me Bashkësitë Islame në Prishtinë, Shkup e në Malin e Zi.

Numri i saktë i mërgimtarëve tanë në këto vende është vështirë të dihet. Supozohet se ai mund të arrijë mbi 400.000 nga të gjitha trojet shqiptare.

Ekzodi i shqiptarëve të Shqipërisë

Këtu vlen të përmendim se në fillim të viteve të nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, pas hapjes së Shqipërisë ndaj botës, shpërtheu një ekzod me përmasa marramendëse i njohur si “ekzodi i ambasadave”. E tërë rinia shqiptare dëshironte të lëshonte Shqipërinë dhe ta merrte botën në sy. Llogaritet se numri i atyre që e lëshuan Shqipërinë dhe emigruan në Greqi dhe Itali, kalon shifrën prej gjysmë milioni. Kjo tragjedi është një kapitull më vete. Ajo që vlen të përmendet, është se Qeveria greke dhe Kisha ortodokse greke shfrytëzuan këtë fatkeqësi të popullit shqiptar për konvertimin e shqiptarëve me përkatësi fetare islame në krishterim, duke u bërë shantazhe që ata t’i ndërronin emrat e tyre me ata grekë si hap i parë, dhe pastaj të bënin pagëzimin në ortodoksë si hap i dytë. Dhënia e lejes së qëndrimit të tyre dhe punësimi i tyre kushtëzohej me këtë procedurë. Për pranimin e këtij numri aq të madh refugjatësh në vendin e saj, Greqia merrte ndihma të konsiderueshme nga Unioni Evropian. Shqiptarët kryenin punët më të rënda dhe me djersën e tyre ndërtonin ekonominë greke, ndërsa trajtimi nga Qeveria greke pothuajse ishte i mjerueshëm. Pagesat ishin minimale dhe ata dëboheshin e u konfiskoheshin të hollat e fituara me aq mund kurdo që u tekej grekëve.
Të mos flasim për legalizimin e qëndrimit të tyre, ose marrjen e të drejtave, që u garantonin atyre ligjet ndërkombëtare, nënshkruese e të cilave ishte edhe vetë Greqia si anëtare Bashkësisë Evropiane. Ndërsa, sa i përket të drejtës së shkollimit në gjuhën amtare, apo së drejtës për hapjen e ndonjë programi informativ në gjuhën shqipe, as që mund të flitet.

Pra, ky është realiteti i Diasporës shqiptare në fillim të shekullit njëzet e një. Numri i tyre arrin në disa miliona. Është pothuajse gjysma e një populli të tërë. Është pjesa e popullit tonë të një gjaku, të një gjuhe, të një feje. Si çdokund në botë që shteti amë kujdeset për bijtë e tij kudo qofshin ata, këtë lypset ta bëjmë edhe ne. Dihet se shteti amë nuk është në pozitë që mund të bëjë shumë për ta. Por, megjithatë, diçka mund të bëhet. Këtë ua kemi borxh vëllezërve dhe motrave tona në diasporë kudo ata jetojnë dhe veprojnë. Diaspora shqiptare ka nevojë për përkrahjen tonë morale, shpirtërore e kulturore. Ajo ka nevojë t’i mbajë e t’i zhvillojë lidhjet vazhdimisht me trojet shqiptare prej nga janë shpërngulur. Ne po ashtu kemi nevojë për përkrahjen, ndihmat dhe përvojën e tyre në vendet ku jetojnë ata.

Dijetarët e rinj shqiptarë në diasporë kanë një barrë fisnike mbi supet e tyre, të shpërndajnë mjegullën dhe shpifjet që kanë përhapur me zell pseudoshkencëtarët shovinistë me shtrembërimet historiografike dhe të sferave të tjera në dëm të kulturës materiale e shpirtërore të popullit shqiptar. Dinjitetin e kombit dhe të vërtetën nuk ka kush ta mbrojë më mirë se bijtë e tij.10
Një rol të rëndësishëm mund dhe duhet të luajnë shkëmbimet e ndërsjella dhe të vazhdueshme midis specialistëve të të gjitha fushave të veprimtarisë njerëzore. Joshja e biznesmenëve nga vende të ndryshme për investime, dhe po ashtu e shqiptarëve të diasporës, nuk arrihet as me sentimentalizëm, as me thirrje patriotike. Ajo ka sukses vetëm kur të bashkërenditen interesat ekonomikë ose kulturorë.
Një detyrë e përhershme e Diasporës shqiptare është afirmimi i vlerave të kulturës, të artit dhe të traditës kombëtare në përgjithësi në vendin ku jetojnë mërgimtarët. Kjo është një nga ato vlera që kanë karakter të përhershëm.

 

Historia jonë gjithëkombëtare zgjidhjet dhe fatet e saj në momentet kyçe të historisë i ka patur tek

Intelektualë të zotë që më shumë kanë qenë të detyruar të jetojnë në dhe të huaj kjo diktuar nga faktorët politikë brenda vetë Shqipërisë. Të mos harrojmë se vëllezërit Frashëri. Jeronin de Rada, Luigj Gurakuqi e plot pinjollë të tjerë të Rilindjes sone Kombëtare si dhe Ismail Qemali, Fan Noli apo Faik Konica, Gjergj Fishta, Martin Camaj e shumë të tjerë që s’po i përmendim kanë bërë për çështjen tonë kombëtare më shumë se vetë politika dhe politikanët tanë brenda kufijve të Shqipërisë etnike. Në këtë shkrim nuk po ndalemi thjesht në këto fakte historike që tashmë njihen nga të gjithë por duam të prekim sadopak plagët që dhembin në shpirtin e diasporës sonë.

 

Së pari diaspora e vjetër dhe ajo e re si bartësja me e mirë e frymës patriotike, me trup jeton e shpërndarë në katër anët e globit e ngulur me rrënjë diku thellë e diku sipërfaqësor, diku me një numër më të madh e diku më pak në numër, diku më gjuhën e saj origjinale dhe diku më gjuhë të tjetërsuar, shpirtërisht jeton me afshin e tokës mëmë dhe të njerëzve të saj. Dihet se me dëshirë askush nuk e lëshon dheun e vet e të marrë udhët e botës por janë një sërë kushtesh objektive e subjektive që i kanë detyruar gjithë këta intelektualë të zotë dhe tërë atë pjesë të mençur të trurit Shqiptar të rrjedhë duke kapërcyer tashmë edhe oqeane. Por edhe pse larg kjo diaporë, e këta intelektualë kurrë nuk heshtën duke punuar që fryma patriotike dhe ndjenja e atdhedashurisë kurrë të mos shuhej ndër breza shqiptarësh.

Diaspora jonë është bartësja më e madhe e trurit intelektual shqiptar që qëllimisht është harruar apo përbuzur nga  administratat e kaluara. Nuk janë të paktë profesorët, doktorët, shkrimtarët, artistët, filozofët, ekonomistët, inxhinierët që shërbejnë në dhe të huaj dhe janë mjaft të respektuar për vlerën që kanë dhe punën që bëjnë