Diaspora Shqiptare Historiku

Diaspora shqiptare, historike dhe ajo e re, përbën një rast unikal. Krahasuar me popullsinë në vendin e origjinës, në trojet etnike, është ndër më të mëdhatë në botë. Ajo ka qënë dhe vazhdon të jetë pjellë e zhvillimeve historike, politike dhe ekonomike. Kurse si shtrirje gjeografike kap thuajse të gjitha kontinentet e banuara. Në total ajo numëron disa milionë veta, të përqëndruar kryesisht në Turqi, SHBA, Greqi, Gjermani, Itali, Zvicër, Suedi, Angli, Kanada, Australi, Argjentinë etj.   

Dukuria e migrimit të shqiptarëve jashtë vendit nuk është e re. Ajo është e dokumentuar të paktën që në shekujt e pesëmbëdhjetë dhe të gjashtëmbëdhjetë me largimin e një mase të madhe banorësh të trevave shqiptare, veçanërisht nga jugu i vendit, pas pushtimit të Gadishullit Ballkanik nga Perandoria Osmane dhe vdekjes së Skënderbeut. Rezultat i këtyre valëve migratore ishte krijimi i ngulimeve të rëndësishme shqiptare në Italinë e Jugut, Greqi, në bregdetin e Dalmacisë e gjetkë. Modeli më i spikatur është komuniteti arbëresh i vendosur  në Siçili e Kalabri.

Gjatë shekujve që pasuan, deri në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, në vitin 1912, proceset migratore vazhduan në formën e lëvizjeve “të brendshme” nga trevat shqiptare në rajone të tjera të Perandorisë Osmane ose në vende fqinjë, të cilat, me kalimin e kohës, fituan autonomi apo pavarësi nga Porta e Lartë. Këtyre lëvizjeve u detyrohet krijimi dhe konsolidimi i komuniteteve relativisht të rëndësishme shqiptare në rajonet e Turqisë së sotme, në Egjipt, Siri, Bullgari, Rumani e në ndonjë vend tjetër.

Periudha që nis me fillimin e shekullit të 20-të dhe, në veçanti, me formimin e shtetit shqiptar solli një ndryshim të rrugëve të emigrimit. Emigrimi drejt Turqisë vazhdoi përsëri, kryesisht për hir të lidhjeve që ekzistonin me ata që qenë vendosur atje, por tani ky vend, me problemet e shumëllojta që solli rënia e Perandorisë, nuk përbënte më një truall të parapëlqyer për emigrim. Prandaj shqiptarët u orientuan kryesisht drejt  ShBA, Argjentinës, Australisë dhe në një numër më të kufizuar edhe në ndonjë vend evropian (Francë, Austri, Itali). Një kontigjent të veçantë përbënte emigracioni politik, i larguar nga Shqipëria si rezultat i qëndrimit dhe veprimtarisë kundërshtuese ndaj regjimit të Zogut dhe pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Në harkun kohor 1945 – 1990 u shënua një shuarje thuajse e plotë e dukurive emigruese.

Emigracioni u rishfaq në Shqipëri në korrik 1990 me të ashtuquajturën (“kriza e ambasadave”). Qysh nga kjo kohë, herë në mënyrë më intensive, herë në rrugë të paligjshme, ai ka vazhduar panderprerje. Rreth 25 për qind e popullsisë totale, ose rreth 35 për qind  e popullsisë aktive në vend, janë emigrantë.

Arsyeja themelore është ekonomike. Nëse në fillimet e proceseve emigruese, që nisën në vitin 1990, ky shkak herë herë ishte mpleksur edhe me motivin politik të mospëlqimit të regjimit, tashmë mund të thuhet se emigracioni shqiptar është në masën e vet mbizotëruese i karakterit ekonomik.

Një tjetër shkak janë edhe faktorët e sigurisë dhe të qetësisë, të cilët në momente të veçanta (p.sh., në vitin 1997) kanë ndikuar posaçërisht në zgjedhjen e rrugës së emigrimit.

Shkollimi i fëmijëve dhe, përgjithësisht, sigurimi i një të ardhmeje më të mirë e më të sigurt për ta përbën një tjetër motiv që haset shpesh në vendimin që marrin familjet për të emigruar.

Të gjitha këto përfshihen në konceptin për një jetë më të mirë, me të cilin përligjet rëndom shtysa për të emigruar.

Harta e shpërndarjes së emigracionit shqiptar në vende të ndryshme  është mjaft e gjerë. Ajo përfshin thuajse të gjitha shtetet e Evropës Perëndimore, disa vende të Evropës Lindore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë. Por, në të vërtetë, ka edhe shumë vende të tjera ku është shtrirë emigracioni shqiptar, ndonëse në përmasa më të vogla.

Sipas disa të dhënave të përafërta, rezulton se aktualisht jetojnë dhe punojnë jashtë vendit rreth 1 milion e 400 mijë shtetas shqiptarë. Pjesa më e madhe, rreth 70-75 përqind e këtij numri, është vendosur në dy vende: Greqi dhe Itali, dhe midis tyre Greqia zë vendin e parë të numrit të përgjithshëm të emigracionit tonë në botë. Në Itali jetojnë rreth 500 mijë shqiptarë.

Përgjithësisht prirja e emigrantëve shqiptarë me kalimin e viteve është orientuar drejt vendeve më të zhvilluara të Evropës Perëndimore (Itali, Gjermani, Holandë, vendet e Skandinavisë, Britani e Madhe etj.), si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë.

 

Po kështu në një numër shtetesh të Evropës, kryesisht asaj Lindore, (Hungari, Çeki, Bullgari, Kroaci, Poloni etj.) ka kontigjente emigrantësh që shkojnë nga disa dhjetëra në disa qindra veta.

Shtrirja gjeografike e emigracionit shqiptar në vendet pritëse është diktuar nga kërkesat e tregut të punës. Në Greqi dhe Itali, për shembull, emigrantët shqiptarë gjenden të përhapur kudo në territoret e këtyre shteteve, natyrisht me një përqëndrim më të madh në qytetet kryesore.

Shumica dërrmuese e emigrantëve shqiptarë në këto vende ushtrojnë profesione që i përkasin punës fizike dhe numri i intelektualëve që ushtrojnë profesionet e tyre është i paktë. Në veçanti, gratë, edhe me arsim të lartë, punojnë në një shkallë të madhe në shtëpitë e vendasve (si pastruese, babysitter etj.). Gjithsesi duket se ka një prirje për një integrim më cilësor në jetën ekonomike. Po kështu, ekziston një numër emigrantësh të cilët tashmë kanë krijuar bizneset e tyre vetiake.