Postuar më: 07/02/2018

Ministri Majko në Harvard: Të shfrytëzojmë potencialin e shqiptarëve të suksesshëm

57e0c8e4 6643 4dfb 966a 5c4d553fe236

“Përfshirja e personave të suksesshëm në lidershipin e shqiptarëve të diasporës dhe një koordinim më i madh mes shtetasve shqiptarë që jetojnë jashte vendit, janë thelbësore për ta shndërruar diasporën në një vlerë të shtuar të Shqipërise”

Kështu u shpreh Ministri i Shtetit për Diasporën gjate një diskutimi të hapur në Universitetin e Harvardit ne Boston. I shoqëruar nga Ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, znj. Floreta Faber, z. Pandeli Majko u takua me profesorin Ricardo Hausmann, drejtues i Qendrës për Zhvillimin Ndërkombtar (DCI) dhe me studentë shqiptarë që studiojnë në universitetin prestigjoz.
Ministri u prezantoi atyre politikat për diasporën, duke i njohur me hapat institucionalë të ndërmarrë deri më tani dhe planet për të mundësuar një angazhim më të madh të shqiptarëve jashtë vendit në zhvillimet politike dhe ekonomike të Shqipërisë. Z. Majko informoi të pranishmit mbi përpjekjet që po bëhen për të përmirësuar lidhjet e shtetit me diasporën, duke përmendur krijimin e Nënkomisionit Parlamentar, Komisionit Shtetëror për Diasporën, Agjencisë e gjithashtu Këshillit Konsultativ për diaporën. Ministri e vuri theksin tek rëndësia e ngritjes së një rrjeti të komuniteteve shqiptare.

 

“Detyra ime është të mundësoj krijimin e lidhjeve mes shqiptarëvë të diasporës”, u shpreh Ministri, duke i kërkuar studentëve e shqiptarëve të tjerë të pranishëm, të gjejnë mënyrat për tu mbledhur së bashku në aktivitete vjetore.

“Jemi në fazën e ndërtimit dhe jo të gjitha muret janë të dukshme, por kemi hedhur hapa shumë të rëndësishëm drejt përfshirjes më të madhe të diasporës në axhendën politike”, shtoi më tej Ministri. Ai përmendi planet për krijimin e një rrjeti të grave në diasporë. Nga ana e tyre, studentët e talentuar shqiptarë i drejtuan pyetje z. Majko lidhur me strategjinë për diasporën, të cilën e vlerësuan si impresionuese. Të rinjtë u interesuan mbi mënyrat për të patur një bashkëpunim sa më të efektshëm. Ministri theksoi nevojën e komunikimit dhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta, për të shfrytezuar potencialet e të gjithë shqiptarëvë të suksesshëm që jetojnë jashtë vendit. Në këtë aspekt, z. Majko sugjeroi krijimin e një Këshilli Koordinues. Ministri i Shtetit prezantoi për panelin në Harvardit edhe një video që shpaloste resurset natyrore e njerëzore të Shqipërisë.

Të rejat e fundit