Postuar më: 26/06/2018

Diaspora në Turqi; Ministri Majko takon grupin e shqiptarëve

Majko me shqiptaret e Turqise

Diaspora e vjetër në Turqi ishte në fokus të takimit miqësor që zhvilloi Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko, me një grup shqiptarësh të ardhur nga Turqia. Nën organizimin e Shoqatës Kulturore Shqiptare në Stamboll, përfaqësuesit e komunitetit po vizitojnë disa qytete të Shqipërisë. Për shumicën e tyre, kjo është ndalesa e parë në vendin e të parëve.

Ndërsa i uroi mirëseardhjen, Ministri i njohu ata me reformën që po ndërmerr qeveria shqiptare në fushën e diasporës dhe gjithashtu me programin e samitit të dytë të diasporës që do të zhvillohet në nëntor.

Duke u ndalur tek rëndësia e trashëgimit të kulturës dhe gjuhës shqipe tek brezat e rinj, z. Majko kërkoi bashkëpunim për t’u mundësuar të rinjve të vizitojnë Shqipërinë. Ministri përmendi rëndësinë që kanë shqiptarët e Turqisë, si një prej diasporave më të vjetra e më të mëdha, duke propozuar një strukturim më të mirë të komunitetit. U fol për mundësinë e zhvillimit të një aktiviteti të përvitshëm, ku do të mblidheshin të gjitha shoqatat shqiptare. Z. Majko informoi gjithashtu të pranishmit lidhur me seksionin e posaçëm për diasporën, që pritet të hapet së shpejti në Muzeun Kombëtar, duke kërkuar bashkëpunimin e tyre për materiale të ndryshme. Në fund të takimit, Ministri u bëri ftesën për të marrë pjesë në samitin e planifikuar për në muajin nëntor.