Postuar më:18/05/2018

Fjala e Ministrit Majko në konferencën “Diaspora Flet”, në Prishtinë

Të nderuar pjesëmarrës

Në folklorin shqiptar ka mjaft këngë që i kushtohen individëve që nuk jetojnë. Marrëdhënia me këngën ishte edhe marrëdhënie me memorien kolektive. Nga këtu vinte rregulli se “kënga lyp kokë”…

E bëra këtë hapje për të dhënë një shpjegim, jo standard, për besimin e rezervuar kolektiv që shqiptarët kanë tek pranimi i cilësive të veçanta. Këngët e tyre i dedikohen kryesisht të munguarës.

Diskutimi për diasporën është një diskutim i vjetër dhe i ri për publikun shqiptar. Ai ka të bëjë me një cilësi të vjetër kombëtare dhe po ashtu të shmangur brenda saj. Diaspora përfaqëson jo vetëm kërkesat ekonomike. Ajo është simbolikë e dëshirës dhe e ëndrrës për më mirë në një shoqëri tradicionaliste. E thënë ndryshe, Diaspora shqiptare është “një këngë”, në një ambient ku ajo ka statusin e “të munguarës”.

Aktualisht, edhe nga pikëpamja e matematikës, fenomeni diasporë tek shqiptarët, përfaqëson gati gjysmën e shtetasve të regjistruar. Në kushtet e globalizmit ajo është bërë pjesë e çdo familje shqiptare.

Si fenomen, diaspora është një sfidë administrative dhe politike. Brenda një shoqërie, ajo kërkon përshtatjen e “të larguarës” me “të qëndrueshmen”. Diaspora kërkon një ekuilibër midis psikologjisë së parimit të “evolutives” me “statuskuonë” brenda një shoqërie.

Ndërkaq, kjo përshtatje nuk ka si të jetë veç një “leksion” nëpër konferenca apo seminare, të shoqëruara me miratime ligjesh. Në thelb ajo do të kërkojë përshtatjen e kombit me rregullat e reja të globalizmit dhe vetëfunksionimin e tij në kushte të reja, të ndryshme nga ato që janë mësuar nga librat që nga koha e revolucionit francez.

Shqipëria është duke hedhur hapat e parë të krijimit të një politike shtetërore në këtë drejtim. Ajo ka filluar të institucionalizojë marrëdhënien më qytetarët e vet jashtë kufijve.

Shpreh gjithashtu kënaqësinë që gjendem në krah të dy homologëve të mi nga Kosova dhe Maqedonia, bashkëpunimi dhe koordinimi me të cilët, është jetësor për të prodhuar politika efikase për diasporën tonë.  Prania jonë në këtë konferencë, flet për përkushtimin për të ecur bashkë drejt një shtegu me shumë të panjohura, por të cilin jemi të vendosur ta kryejmë së bashku.

Për herë të parë, diaspora shqiptare ka nisur të trajtohet si një e tërë. Shqiptarët nuk mund të ndahen me “kufij shtetërorë” jashtë vendit, ku edhe pse të shpërndarë anekënd botës bashkohen nga i njëjti qëllim dhe dëshirë; të ruajnë të gjallë identitetin dhe t’u njihen të drejtat që u takojnë.

Nga ana tjetër, duhet pranuar se jemi vonë për një aksion të koordinuar që synon të adresojë dhe ndihmojë në zgjidhjen e problematikave me të cilat përballen shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e Luginës nëpër botë. Deri tani për këtë çështje kemi nënshkruar dy marrëveshje të rëndësishme me Qeverinë e Kosovës; një për bashkëpunim në fushën e diasporës dhe një tjetër për ngritjen e qendrave të përbashkëta kulturore, që do të ndihmojnë në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe identitetit kombëtar.

Gjithashtu jemi dakordësuar për një marrëveshje sa i përket çështjes, me Maqedoninë dhe po negociojmë një të ngjashme me Malin e Zi.

Me prioritet do të veprohet për të nxitur dhe mundësuar mësimin e gjuhës shqipe për brezin e lindur në vendet pritëse, i cili rrezikon të asimilohet. Në këtë kuadër po bashkëpunojmë për ngritjen e një qendre të përbashkët botimesh me qendër në Prishtinë dhe degë në Tiranë, e cila do të shërbejë jo vetëm për botimin e librave të standardizuar por edhe për koordinimin e shpërndarjes së tyre. Mbi bazën e marrëveshjeve, do të mbështesim projektet dhe aktivitetet kulturore që synojnë promovimin e identitetit dhe kulturës kombëtare shqiptare jo vetëm në vendet pritëse, por edhe ato të origjinës. Fuqizimi i rolit të diasporës dhe ndërkomunikimit të saj ishte qëllimi i memorandumit të bashkëpunimit të firmosur me organizatën jofitimprurëse “ Germin”, e cila ka vlerësim të veçantë në punën e bërë për rrjetizimin dhe promovimin e shoqatave të diasporës.

Nuk mund të mos e pranoj se Shqipëria është disa hapa larg Kosovës e Maqedonisë në trajtimin e diasporës, e prandaj shkëmbimi i eksperiencave është tepër i rëndësishëm për ne. Megjithatë, brenda një kohe të shkurtër kemi ndërmarrë reforma të rëndësishme.

Në fillim të vitit hyri në fuqi Ligji “Për Agjencinë Kombëtare për Diasporën”, e cila është organi shtetëror përgjegjës për marrëdhëniet me diasporën.  Në muajin prill u miratua Ligji “Për Diasporën”, i cili përcakton institucionet dhe parimet e politikës shtetërore për diasporën. Sapo është miratuar gjithashtu “Strategjia dhe Plani i Veprimit për Diasporën 2018 – 2024”, të hartuar pas konsultimeve intensive nga një grup pune ndërministror.

Të dashur miq

Aktualisht jemi në një moment delikat të përcaktimit të problemeve që kërkojnë zgjidhje ndërshtetërore.

Ndihma më e madhe financiare që ju vjen vendeve të rajonit tonë, kryesisht është ajo nga remitancat që dërgojnë migrantët tanë jashtë vendit. Në trajtimin e kësaj çështje duhet një koordinim ndërshtetëror. Në rajonin tonë nuk ka ende një aktivitet vjetor për këtë çështje, ndërsa në zona të tjera të botës ky është një moment diskutimi i rëndësishëm.  Janë rreth 200 milionë migrantë që mbajnë me të ardhura afërsisht një miliardë njerëz në botë. Ekzistojnë eksperienca për të cilat kemi pak ose aspak dijeni.

Kjo temë, duhet të na nxisë për të krijuar një diskutim rajonal, ku të përfshijmë në të edhe vende të tjera. Bashkëpunimi rajonal dhe me strukturat ndërkombëtare financiare, kërkon zgjerimin e koordinimit dhe diskutimit për çështjen e migracionit dhe diasporës. Në rajonin tonë ne nuk kemi krijuar një traditë të tillë.

Në të kundërt migracioni e diaspora mbeten ende një “zonë gri” e pa studiuar dhe vlerësuar seriozisht si koncept i bashkëpunimit rajonal. Ky i fundit mund të diskutojë psh. për të ulur kostot e transportit, ato të shërbimeve apo të një harte të përbashkët çështjesh të cilat do të ndihmojnë vendet tona në lidhjen e ekonomisë me resurset njerëzore dhe financiare jashtë vendit. Për të ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme ne duhet ta njohim diasporën, jo si matematikë por si strukturë të shoqërisë sonë.

Në vizitat e zhvilluara, disa prej të cilat më Ministrin e Kosovës, Dardan Gashi, jemi të impresionuar me nivelin e integrimit të shqiptarëve në vendet pritëse, të cilët në të njëjtën kohë janë përpjekur të mos largohen nga rrënjët e tyre. Por, ndërsa disa prej komuniteteve kanë arritur të organizohen në mënyrë të kënaqshme, në disa të tjera strukturimi mungon.

E vlerësoj vecanërisht konferencën e organizuar nga “Germin”, e cili jo vetëm bën bashkë komunitete që jetojnë në shtete të ndryshme, por edhe u jep një zë të fortë atyre, përballë autoriteteve përgjegjëse politike.

Mbështes organizimin e aktiviteteve të rregullta të këtij lloji,  të cilat ndihmojnë në shembjen e “mureve” dhe ndërtimin e urave që ridimensionojnë realitetin social dhe ekonomik të vendeve tona.

Në këtë kuadër, sidomos Shqipëria dhe Kosova kanë një pamje sfiduese politike dhe shtetërore në raportet me diasporën. Shtetet tona duhet të zgjedhin midis krijimit të një mekanizmi funksionues ndërmjet njëra-tjetrës ose… të qenit të “dy telat e ciftelisë” për këngën e rradhës. Ashtu sic përmenda në fillim, koha e “këngëve” për realitetin e munguar vlen vetëm si ironi nxitëse. Duhet të zgjedhim! Natyrisht!

 

Ju faleminderit