Postuar më:30/10/2017

Fjala e Ministrit të Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, tek Konferenca Ndërkombëtare “Migrimi, Diaspora dhe Zhvillimi në Shqipëri e në Ballkanin Perëndimor”

majko

Të nderuar pjesëmarës,

Në kohët që jetojmë migrimi është bërë një cilësi kombëtare. Shifra e atyre që janë larguar nga vendi po shkon drejt gjysmës së popullsisë. Eshtë e tepërt të thuash se shteti shqiptar ka zhvilluar në vite një politikëtë caktuar për këtë cilësi kombëtare. Migracioni në Shqipëri ende konsiderohet një “çështje personale” apo familjare.
Kohët e fundit kemi filluar të ndërtojmë disa “piketa” që janë ende pak, përballë asaj që pret për tu bërë nëkëtë drejtim.

Sfida e shoqërisë sonë është si të bëjmë paqe me të veçantën e “Migracionit” dhe ta ngremë atë në nivelin e një virtyti.
Krijimi i nje raporti të drejtë me fenomenin “Migracion” do të kërkojë së pari zhvillimin e një politike informuese. Ajo duhet ti drejtohet çdo kategorie të migranteve dhe jo vetëm atyre që shohin për motive punësimi.

Duket në kufijtë e naivitetit në se thuhet se vetëm caktimi i nje personi kontakti në çdo ministri dhe institucionet përkatëse do të përbënte një hap konkret për sigurimin e informacionit rreth emigracionit,imigracionit, dhe diaspores.
Janë harxhuar fonde pa fund për këtë temë dhe mungesa e krijimit dhe mirëmbajtjes së një faqeje internetime informacion të detajuar mbi migracionin bën ironi të hidhur. A thua se ekspertët e IT të secilës prej ministrive të linjës apo institucioni të përfshirë në këtë temë do ta kishin kaq të vështirë të përdorin këtëfaqe interneti për të shtuar informacionin e siguruar nga personat e kontaktit.

E nisa këtë fjalë me shembullin e një vetë-ironizimi për të shprehur vlerësim për këtë inisiativë tëUniversitetit Mesdhetar për temën e Migracionit dhe Diasporës. Ky është një shembull për rolin qëuniversitetetet mund të marrin në diskutimin e kësaj teme.

Shqëritë e rajonit tonë, ende të paintegruar në Bashkimin Europian, i bashkon një cilësi e përbashkët. Ato, pavarësisht zhvillimeve social – politike, janë ende shoqëri jo-evolutive. Shumë të rinj vendosin të largohen nga vendlindjet, si pasojë e reflektimit se në shoqëritë ku jetojnë nuk gjejnë raport me mundësinë dhe suksesin.

Hapja e diskutimit si ky i sotmi në rrethet universitare, ku evolucioni është masë dhe cilësi, shpresoj se do të ndihmojë për vendimarrjet që kërkohen.

Aktualisht politika ka rihapur diskutimin për votimin e migrantëve e cila do të sjellë “tronditje” pozitive nëdrejtim të ndërtimit të politikave funksionale.
Kjo temë ka për hapur mjaft të tjera ku padyshim rëndësi të vecantë ka procesi i rregjistrimit të migrantëve, i cili do të kërkojë forma veprimi të reja që nga implementimi i reformës së rregjistrit civil, tek rregjistrimii migranteve dhe i adresës së tyre jashtë vendit i cili duhet të jetë i detyrueshëm.

Migracioni ka “thyer” kornizat e bërjes së politikës. Ai po “degradon” pozitivisht, kufirin ndarës tëdikurshëm, midis politikës së brendëshme dhe asaj të jashtëme. Me Italinë dhe Greqinë, marrdhëniet e ngushta nuk janë opsion për tu diskutuar, falë migracionit ekzistues në këto vende.

Shqipëria është në kërkim, ende, të modeleve të nxitjes së migrimit qarkullues me anë të masave favorizuese për lëvizshmërinë e migrantëve shqiptarë nëpërmjet të drejtës për t’u kthyer në vendin pritës.

Mungesat e përgatitjes të shtetit shqiptar u shfaqën gjatë krizës ekonomike në vendet fqinje, anëtare tëBashkimit Europian. Nga studimet, bazuar në burimet e Ministrisë së Brendshme të Greqisë rreth 130.000 deri në 140.000 punëtorë migrantë shqiptarë humbën lejen për të qëndruar në vend për shkak të krizës financiare. Nga këta, vetëm 10 përqind kishin plane investimi për në vendlindje dhe shumica e tyre i përkisnin gjinisë femërore.

Probleme shfaqen në orientimin e programeve dhe donatorëve që ofrojnë bursa studimore për jashtë vendit drejt fushave të ekspertizës për të cilat ka nevojë Shqipëria. Mungesa e një studimi të thelluar mbi numrin e studentëve shqiptarë në universitetet jashtë vendit dhe mbi fushat ku ata specializohen është ulëritëse. Kryerja e nje raporti vleresues mbi vështirësitë e studentëve shqiptarë për të riardhur lirisht në vend dhe mbi faktorët që ndikojnë në këtë situatë janë në nivel sipërfaqësor.
Njohja e gabimeve është një fillim në këtë drejtim.

Vlerësimi i ofertës dhe kërkesës për personel të kualifikuar, në tregun shqiptar të punës është në fillimet e veta. Krijimi i kontakteve ndërmjet migranteve dhe ndërmarrjeve të mëdha në Shqipëri është fillestare.

Oferta dhe kërkesa për personel me kualifikim të lartë në tregun shqiptar të punës dhe krijimi i një baze tëdhënash online me CV-të të emigrantëve nuk është krijuar akoma. Kjo është e bukur kur të thuhet e jo mëtë bëhet.
Zhvillimi i politikave me qëllim shmangien e “largimit të trurit” aktualisht është vetëm një projekt donator.

Të nderuar pjesëmarrës,

Jemi në prag të miratimit të akteve ligjore të reja apo edhe ndryshimit të atyre ekzistuese në fushen e migracionit për zgjerimin përmbajtjes në përputhje me standartet ndërkombëtare. Aktualisht, situata ështëbllokuar pasi po diskutohet ende kuptimi i fjalës “Migracion” dhe “Emigracion”… ende debatohet në se duhet përdorur fjala “Diasporë” apo “Migracion”. Nuk jam duke bërë humor. Në tavolinën time të punës kam librin e pedagoges Luljeta Ikonomi “E drejta e migracionit”, të cilin ka raste që e hap për të mësuar apo dialoguar me juristët e administratës sonë shtetërore.

Personalisht i kam nënvleftësuar “trajnimet” e administrates, por në një vend ku gjysma e popullsisë ështëjashtë vendit me statusin e migrantit, mosdija për këtë fushë është e pafalshme. Ajo duhet ti kushtojë edhe vendin e punës atyre që rezultojnë të tillë, por kjo nuk mund të thuhet si dicka që duhet bërë sot. Administrata nuk mund të fajësohet në kurriz të shfajësimit të politikës.

Politika dhe administrata në vend, për këtë cështje i ngjan migrantit shqiptar në Greqi që është në dilemën e marrjes së pensionit. Ai në Shqipëri njihet në gjendjen civile si “Jakup” dhe në Greqi ku ka punuar, njihet si “Jorgo”. Ky është një udhëkryq njerëzor që kërkon zgjidhje. Reformat fillojnë nga gjërat e vogla dhe detajet. Pa zgjidhjet e problemeve njerëzore reformat janë thjesht letra për tu lexuar.

Më lejoni tju falenderoj për ftesën dhe kënaqësinë e pranisë në ambjentet e universitetit tuaj. Sot, diskutojmë një temë ku titulli “student” nuk është fyerje.

Ju faleminderit

Të rejat e fundit