Postuar më:30/04/2018

Fjalimi i Ministrit të Shtetit për Diasporën në tryezën e rrumbullakët me temë, “Mbi të drejtat e shtetasve shqiptarë të privuar nga liria jashtë vendit”

feature majko

 

Të nderuar pjesëmarrës

Diasporën po e konsiderojmë me të drejtë një cilësi kombëtare. Si e tillë ajo duhet diskutuar në gjithë gjerësinë e saj. Klisheja se diaspora përfaqësohet vetëm nga suksesi duhet ndryshuar. Në diasporë bëjnë pjesë edhe ata që për arsye të ndryshme kryesisht të ndodhur në kushtet e mbijetesës kaluan kufijtë e ligjit në vendet pritëse. Ata ndodhen të dënuar në kushtet e mungesës së lirisë, por kjo nuk i përjashton, përkundrazi shton përgjegjësinë e shtetit karshi tyre.

Shqipëria e sotme është më shumë se një sipërfaqe. Gjysma e popullsisë sonë jeton përtej kufijve dhe ne kemi përgjegjësinë t’u përgjigjemi nevojave të bashkombasve tanë kudo që ata ndodhen.

Përballë shifrave në rritje të migracionit, përballë një shoqërie globale dinamike dhe komplekse, indiferenca është paaftësi. Problemet e diasporës janë edhe tonat. Ne nuk mund të mbyllim sytë e veshët përpara tyre.

Jashtë vendit jeton një pjesë cilësore e kombit. Ata janë intelektualë, artistë, sipërmarrës e të rinj të talentuar, që janë kthyer në burim krenarie edhe për vendet pritëse. E ndërsa na pëlqen të mburremi për atë që dua ta quaj “pasuria jonë përtej kufijve”, nuk mund të mos interesohemi edhe për pjesën tjetër. Atë për të cilën nuk mund të mburremi, por që padyshim ka më shumë nevojë për ne.

Shtetasit shqiptarë të privuar nga liria jashtë vendit nuk janë pak veçanërisht në vendet fqinje ku edhe përqëndrohen komunitetet më të mëdha shqiptare. Mendohet se më shumë të dënuar apo paraburgosur shqiptarë ka jashtë vendit, se sa brenda tij. Sipas statistikave, në Greqi janë rreth 1655 shtetas shqiptarë të dënuar apo paraburgosur, në Itali rreth 1600 shtetas shqiptarë të burgosur nga të cilët 100 në paraburgim. Në Gjermani janë 768 shtetas shqiptarë të burgosur, në Britani 750 vetë, në Holandë 92 vetë ndërsa në Austri rezultojnë 52 shtetas shqiptarë të burgosur ose në paraburgim. Këto statistika i përkasin llogaritjeve deri në shtator 2017-s.

Ekzistojnë shumë instrumente juridike ndërkombëtare të cilat mbrojnë të drejtat e njeriut por shumica e të dënuarve jashtë vendit nuk i njohin ato. Ata shpesh janë viktima të avokatëve të padobishëm vendas apo keqtrajtimeve ndaj të cilave nuk kanë as ku të ankohen.

Të dashur miq

Debati për këtë çështje nuk mund të shtyhet më. Ky aktivitet i sotëm falë edhe bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë, Kuvendit të Shqipërisë dhe Zyrës së OSBE-së në Tiranë përbën një fillim të një aktiviteti të përvitshëm me përfaqësues të politikës dhe ekspertë të fushës, për të folur mbi mënyrat dhe rrugët se si do ti përgjigjemi nevojave të njerëzve që vuajnë dënimin jashtë vendit.

Qasja ndaj informacionit është një e drejtë themelore dhe shumë e rëndësishme. Në këtë aspekt mendoj se do të duhej të konsideronim mënyrat për të thjeshtëzuar rrugët e ofrimit të informacioneve bazë, dhe organizimit të një komunikimi të rregullt me këtë kategori sociale edhe në diasporë.

Administrata shqiptare është ende e përgjumur në marrëdhënie me diasporën. Një pjesë e saj vepron mbi parimin se detyrimet e saj të shërbimeve me qytetarët, kufizohen mbi taksapaguesit që jetojnë në territorin e vendit.

Një komb i cili jeton i shpërndarë në një hapësirë të pakufizuar nga konceptet e sovranitetit të një shteti duhet të “rishpikë” vetveten. Pranoj pyetjen dhe ironinë që pse duhet ta fillojmë me të burgosurit këtë? Përgjigjia është e thjeshtë. Në se nuk do të jemi njerëz karshi atyre që kanë më shumë nevojë nuk mund të bëhemi dot përfaqësues të interesit shtetëror jashtë vendit.

Falë një bashkëpunimi të filluar edhe me Kryqin e Kuq të Shqipërisë̈, së bashku me Ministren e Drejtësisë dhe eksperiencën e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme kemi filluar një punë paraprake. Në këtë drejtim, krijimi i “liason officer” për këtë qëllim, është gjithashtu një faktor i rëndësishëm që do të shërbejë si pikë kontakti për personat e privuar nga liria jashtë vendit. Vendosja e tyre, fillimisht në Itali dhe Greqi, do të jetë një model fillestar për të verifikuar funksionimin e tyre.

Aktualisht, e gjithë ngarkesa aktuale e kësaj çështjeje e zhvendos të gjithë barrën e saj tek ambasadat tona jashtë vendit. Kam pasur në një rast të një perceptimi të gabuar për profesionalizmin e drejtueses së një konsullate shqiptare në një vend fqinj. M’u desh ta rishikoja opinionin tim për të, që në momentin që ajo më tregoi se në çantën e saj të punës kishte lista të sakta të të burgosurve shqiptarë të cilat i rifreskonte rregullisht. Jashtë perceptimit tim për të, kjo grua shkonte rregullisht e vizitonte burgjet që mbulonte sektori i saj i përgjegjësisë̈. Ajo bëntë cfarë kishte mundësi duke ofruar ndihmë, e sidomos seriozitetin e pranisë së shtetit shqiptar në trajtimin e shtetasve tanë jashtë vendit.

Duhet pranuar, se në psiqikën tonë administrative për diplomatët e aftë, është fiksuar formati i diplomatit të “luftë së ftohtë”. Si mund të jetë një diplomat “i aftë” për forcimin e marrëdhënieve në një shtet kur është i “pamundur” të vendosë marrëdhënie me komunitetin e shqiptareve që jeton aty?

Një vështirësi lidhur me këtë problem shfaqet aty ku nuk kemi prani të zyrave diplomatike. Jo vetëm për këto raste, është e përshtatshme të vendoset komunikimi me një sërë avokatësh shqiptarë në vendet pritëse, të cilët janë të disponueshëm për ndihmë ligjore.

Shumica e shtetasve shqiptarë të dënuar jashtë vendit por edhe familjarët e tyre, vuajnë mungesën e informacionit. Mendoj se është me rëndësi, krijimi i një informimi zyrtar me listën dhe kontaktet e përfaqësuesëve ligjorë shqiptarë në vendet pritëse, e cila do të ishte padyshim në dispozicion të ambasadave.

Kur flasim për personat e privuar nga liria, duhet marrë parasysh se në radhët e tyre ka edhe njerëz që nuk dinë të shkruajnë dhe lexojnë gjuhën e vendit ku vuajnë dënimin. Ata gëzojnë të drejta të cilat duhet ti njohin.

Çështja që po shtrojmë sot është shumë e gjerë dhe komplekse, por unë do të doja të ndaleshim tek ajo që mund të bëjë shteti shqiptar për t’i ardhur në ndihmë këtyre personave. Takimi i sotëm është një pikënisje, ku gabimet dhe vonesat janë eksperiencë për të na çuar aty ku duhet të jemi.

Eshtë e sigurtë se diaspora di të bëjë edhe pa ne. Pyetja është, cfarë do bëjmë ne pa të?

Diaspora fillon nga dobësitë e saj. Po nuk u kujdesëm për dobësitë atëherë nuk kemi pse duartrokasim suksesin e saj. Shteti është familja e njerëzve në vështirësi dhe pastaj tapeti i kuq i suksesit. Është̈ koha të tregojmë se po mendojmë ndryshe. Si njerëz.

Ju faleminderit