Postuar më: 18/01/2018

Kremtimet për Skënderbeun, Ministri Majko:Përkujtojmë një fenomen

2018 01 17 PHOTO 00000315

“Edhe sot, në kohën e internetit e teknologjisë, Gjergj Kastriot Skënderbeu vjen tek ne me disa cilësi për të cilat shoqëria shqiptare ka nevojë”

Kështu u shpreh Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko gjatë fjalës së tij në eventin përmbyllës të kremtimeve për 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, i mbajtur në sallën e madhe të Qendrës Kulturore Ortodokse. Z.Majko shtoi më tej se ky nuk ishte vetem një moment për të përkujtuar një ngjarje apo luftëtar, por gjithashtu një fenomen pa të cilin shoqëria shqiptare nuk do të ishte kjo që është, e nuk do të kishte mundur të mbijetonte në kohët e vështira. Ministri i Shtetit për Diasporën falenderoi përfaqësuesit e komunitetit arbëresh, të ardhur nga Italia.
“Arbëreshët nuk janë thjesht një diasporë apo një vazhdim i kujtimit të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Pa diskutim, ata janë të lidhur me fenomenin e këtij luftëtari të madh, por ata, përveçse e kanë emrin diasporë, janë edhe një cilësi e veçantë e historisë së kombit shqiptar. Të gjithë ata që kanë vënë në dyshim vjetërsinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke i trajtuar si të ardhur në këtë zonë ku kanë jetuar që nga fillimi i kohës, kanë përballë këta njerëz me emrin arbëresh”-tha z.Majko. Një koncert me repertorin arbëresh ku performuan grupet e ardhura nga Italia, mbylli aktivitetin e kryesuar nga presidenti i Republikës se Shqipërise, z.Ilir Meta.

Të rejat e fundit