Postuar më: 28/03/2018

Ministrat Majko e Nikolla në prefekturën dhe universitetin e Bolonjës

11 2

Bashkëpunimi në fushën kulturore, shkencore e të arsimit ishte në qendër të bisedimeve mes Ministrave Pandeli Majko e Lindita Nikolla dhe Zëvendësprefektes së Bolonjës, znj. Adriana Cogode.
Kjo e fundit theksoi së bashkëpunimi është thelbësor për të mundësuar zhvillimin e një shoqërie të avancuar dhe ndihmon në rritjen ekonomike. Zëvendësprefektja tha se Emilia Romagna ishte një rajon shumë i zhvilluar, por me interes të madh për të përthithur vlera e njohuri nga vendet e tjera.
“ Mirëpresim projekte bashkëpunimi dhe inciativa që mund të rezultojnë të vlefshme për të dyja vendet. Bolonja është jo vetëm zemra e ekonomisë së rajonit por edhe një qytet, që duke e pasur kulturën si prioritet, është shumë i interesuar për shkëmbime kulturore”, tha znj. Cogode.

Ministrat falënderuan zyrtaren e lartë për ndihmën që rajoni ka dhënë në integrimin e shqiptarëvë, duke përmendur marrëveshjet në fuqi mes dy vendeve. Z. Majko kërkoi vëmendje të veçantë për situatën e lejeve të qëndrimit për studentët shqiptarë. Zëvendësprefektja pohoi se do ta rishikojë me kënaqësi procesin, pasi siç tha, të rinjtë që vijnë nga jashtë duhet të kenë mbështetjen maksimale.

Një vizitë e rëndësishme ishte edhe ajo në Universitetin e Bolonjës, ku Ministrat u takuan me rektorin, prof. Francesco Ubertini dhe një grup profesorësh të tjerë. Gjatë takimit u theksua gatishmëria për projekte të përbashkëta dhe u përmend lidhja e fortë mes institucioneve arsimore shqiptare dhe universitetit më të vjetër në botë. U fol për programe të përbashkëta trajnuese për personelin akademik dhe gjithashtu për mundësinë e organizimit të një konference me ish studentë, e cila do të shërbejë edhe për krijimin e një ‘think tank’. Në takimet e zhvilluara në Bolonjë, Ministrat u shoqëruan nga përfaqësuesi i rrjetit ‘FARE”, z. Roland Jace.

Të rejat e fundit