Postuar më:28/03/2018

Ministrat Majko e Nikolla takojnë Zëvendëspresidenten e rajonit të Emilia Romagna

1 4

‘Në rajonin e Emilia Romagna shqiptarët janë një prej komuniteteve të integruara më mirë, si në arsim ashtu edhe në sektorë të ndryshëm të punës”
Kështu u shpreh Zëvendëspresidentja e rajonit, znj. Elisabetta Gualmini gjatë takimit më Ministrat Majko e Nikolla në Bolonjë. Sipas zyrtares së lartë, atje jetojnë plot 58 mijë shtetas shqiptarë. Z. Majko shprehu kënaqësinë për vizitën, në atë që e quajti, një prej rajoneve më të rëndësishme të Italisë. “Shqiptarët janë një nga komunitetet më të integruara në Itali dhe ne jemi krenar për këtë”, tha Ministri, i cili shtoi se kjo i detyrohej edhe marrëdhënies së veçantë që ata kanë krijuar me shoqërinë italiane.

Edhe në këtë takim, dy Ministrat avancuan kërkesën e tyre për vënien në dispozicion të ambjenteve shkollore, për mësimin e gjuhës shqipe gjatë fundjavës. Z. Majko tha se bashkëpunimi dhe ndihma e autoriteteve rajonale do të ishte jetësore. Ministrja Nikolla siguroi Zëvendëspresidenten, se mësuesit që do të japin mësim për nxënësit shqiptarë nuk do të jenë njerëz të rastësishëm, por profesionistë të verifikuar, mirëtrajnuar dhe të certifikuar nga Ministria e Arsimit. Ata do të jenë gjithashtu njohës të mirë të sistemit arsimor italian. Znj. Gualmini siguroi Ministrat se do t’ia parashtronte kërkesën zyrës shkollore rajonale.

Të rejat e fundit