Postuar më:20/04/2018

Ministri Majko, i pari zyrtar i lartë që takon emigrantët shqiptarë në Houston

89c6098f bda0 4ad2 9aa6 8fd7618da1ae

Pasi mori pjesë në konferencën e 10-të për ‘Fuqizimin Global” në Universitetin e Harvardit, ku ndër të tjera u fol edhe për rolin e emigrantëve në zhvillimin ekonomik, Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko u takua me përfaqësues të komunitet shqiptar në Houston.

“Pas 28 vitesh, më në fund mirëpresim një përfaqësues të qeverisë së shtetit amë në Houston”. Me këto fjalë, komuniteti i uroi mirëseardhjen Ministrit. Përfaqësuesit e shoqatave shqiptare që veprojnë në Houston, ndër të cilët Idajet Bedini i ‘Arbëria Houston” dhe Dr. Arian Haxhillari, theksuan rëndësinë e vizitës së një zyrtari të lartë të qeverisë, si një pikënisje për trajtimin e problematikave që shqetësojnë komunitetin. U përmend çështja e regjistrimit të fëmijëve dhe mundësimi i qasjes elektronike ndaj librave shqip. Sa i përket çështjes së regjistrimit, z. Majko pranoi se kjo është një prej sfidave më të mëdha me të cilat po përballen. Ai tha se po bashkëpunohej me Ministrinë e Jashtme, duke filluar që nga rrënjët e problematikës, me ideimin e ligjeve dhe akteve që do të adresojnë çështjen.  Lidhur më shqetësimin e dytë, Ministri Majko përmendi përpjekjet që po bëhen për të ashtuquajturin ‘e-book’, projekt që do të mundësojë publikimin online të të gjitha librave të kurikulës së përbashkët me Kosovën.  Z. Majko përcolli tek komuniteti në Houston, lajmin pozitiv për dekretimin e Ligjit ‘Për Diasporën”, i cili ndër të tjera parashikon hapjen e një qendre botimi për diasporën.  Duke theksuar nevojën e një organizimi më të mirë në nivel shtetëror, Ministri informoi përfaqësuesit e komunitetit lidhur me planet e organizimit të një konvente, ku do të ftohen shqiptarët më të suksesshëm. Në radhën e pjesëtarëve të suksesshëm të diasporës, është padyshim z. Panajot Zhonga, zëvendëspresident në kompaninë prestigioze të Houston “Universal Pegasus International”, e cila ofron ekspertizë të nivelit të lartë në industrinë e energjisë. Ministri zhvilloi një takim me z. Zhonga, një inxhiner nafte, i cili tregoi eksperiencën personale, nga ditët kur luftonte të integrohej në shoqërinë amerikane, deri tek afirmimi si inxhinier i suksesshëm në industrinë e rëndësishme të energjisë.

382106ed fb6a 4f55 b2b6 07df280657c1

55dc12ae 2da5 401b b9e1 92240a837698

a7b1f2f3 d40f 4347 ba1b 904e78a33f0e

Të rejat e fundit