Postuar më:23/04/2018

Ministri Majko me sipërmarrësit shqiptarë në Florida

0

Biznesi dhe zhvillimi ekonomik ishin në qendër të bisedimeve që zhvilloi Ministri i Shtetit për Diasporën me “Rrjetin e Bizneseve dhe Profesionistëve Shqiptarë”, në Tampa Bay të Floridës. Organizata, e krijuar në 2016-ën, promovon sipërmarrjet shqiptare dhe cilësitë e komunitetit përmes ndërlidhjes, seminareve dhe marketingut. Ndërsa vlerësuan vizitën e Ministrit Majko, përfaqësuesit e rrjetit kërkuan bashkëpunimin e tij, për krijimin e një lidhjeje të frytshme mes shtetit dhe sipërmarrjeve shqiptare në Tampa Bay.

2 2

Rrjeti u shpreh i interesuar për të mësuar eksperiencat pozitive të shoqatave të tjera dhe e ftoi Ministrin të marrë pjesë në aktivitete te organizuara prej tij në të ardhmen. Nga ana e tij, Ministri shprehu gatishmërinë për të ndihmuar në promovimin dhe zhvillimin e sipërmarrjeve shqiptare jashtë vendit, duke e vënë theksin tek nevoja e krijimit të lidhjeve mes organizatave shqiptare nëpër botë. Në këtë kuadër, z. Majko përmendi platformën interaktive të organizatës “Germin”, e cila u ofron shoqatave në diasporë një hapësirë virtuale për t’u lidhur me njëra-tjetrën dhe me komunitetet përreth. I pyetur mbi mundësinë e rritjes së influencës së diasporës në zhvillimet e vendit amë, Ministri tha se hapi i parë në këtë aspekt, do të hidhet kur diaspora të ketë përfaqësimin e saj në parlament.

Të rejat e fundit