Postuar më: 07/11/2017

Ministri Majko pret Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Diasporës të Kosovës Dardan Gashi

IMG 5955

Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko zhvilloi sot, një takim me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Diasporës të Republikës së Kosovës, Dardan Gashi.

Takimi u fokusua mbi vendosjen e disa piketave në bashkëpunimin ndërmjet dy Ministrive të Diasporës në funksion të organizimit të diasporës dhe migracionit shqiptar. Konkretisht, palët biseduan në lidhje me negocimin e dy marrëveshjeve shumë të rëndësishme që do të firmosen në takimin e përbashkët të dy qeverive. E para, marrëveshja kuadër në fushën e bashkëpunimit midis dy ministrive; Marrëveshja e dytë ka të bëjë me qendrat e përbashkëta kulturore, të cilat kanë për qëllim eksportimin e kulturës dhe ruajtjen e forcimin e lidhjeve të diasporës me vendlindjen.

“Me kënaqësi dëshiroj të them se falë edhe një bashkëpunimi paraprak mes dy kabineteve tona, ne jemi duke negociuar dy marrëveshje shumë të rëndësishme, të cilat do të firmosen në një takim të përbashkët mes dy qeverive tona edhe me rastin e festës së flamurit Kombëtar dhe mendoj se janë shumë të rëndësishme për të vendosur disa piketa përsa i përket bashkëpunimit të shkëlqyer të Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e Diasporës. Shqipëria dhe Kosova kanë një diasporë. Ajo nuk mund të ndahet sepse e tillë ka funksionuar me qindra vite, duke filluar që nga Arbëreshët e deri tek ajo më e fundit e viteve 90’. Ne do të marrim detyrimet tona, jo vetëm karshi shqiptarëve të Shqipërisë, shqiptarëve të Kosovës, por edhe shqiptarëve të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Luginës. Sigurisht duke respektuar të gjitha konceptet, rregullat ndërkombëtare dhe marrëveshjet ndërshtetërore atje ku është e rëndësishme. Dëshiroj të them se me z. Gashi gjeta një bashkëpunim të plotë në këtë drejtim dhe mendoj se jemi në fillimin e një pune të jashtëzakonshme që na pret përpara, në funksion të gjysmës tonë që nuk ndodhet në vendilindje, por punon të mbajë ekonomitë e Shqipërisë dhe Kosovës në funksionim, sepse sinqerisht, duhet pranuar një gjë me plotë gojën, pa Diasporën dhe pa Migracionin vështirë se do të konceptohej nga pikëpamja historike ekzistenca  e Shqipërisë në fillim, dhe pastaj e Kosovës dhe tani së fundmi ajo e mbarëvajtjes së ekonomisë. Kështu që përveç detyrimeve, ne na duhet të bashkëpunojmë, që të gjithë shtetasit tanë jashtë vendit të ndihen të lidhur me vendlindjen e tyre dhe për atë që duan të bëjnë për vendlindjen e tyre.” -u shpreh Ministri Majko.

Ndërkohë Ministri Gashi shprehu gatishmërinë e plotë për bashkpunimin me Ministrin Majko, si dhe vuri theksin se ideja e këtyre marrëveshjeve është që të unifikohen dhe të kordinohen aktivitetet e përbashkëta në Diasporë: “Këto marrveshje do të përfshijnë edhe arsimin plotësues të gjuhës shqipe, për fëmijët tanë të Shqipërisë dhe të Kosovës, por edhe të gjitha viseve shqiptare që jetojnë jashtë. E dyta që duhet të shtoj është se ideja e këtyre marrëveshjeve është që të unifikohen dhe të koordinohen aktivitetet tona në Diasporë. Fatmirësisht nga Republika e Shqipërisë këtë rol e ka Pandeli Majko, një mik i madh. Gjithë shqiptarët e Shqipërisë janë miq të mëdhenj të Kosovës, por z. Majko është një mik pak më i madh i Kosovës se të tjerët dhe do të ketë sigurisht po aq ndikim sa ka pasur deri tani sa i përket Diasporës dhe ndjehem shumë mirë që kam rastin dhe kënaqësinë që do të bashkëpunojmë në të ardhmen rreth këtij projekti”.

 

Të rejat e fundit