Postuar më: 28/05/2018

Ministri Majko takime me drejtues të rajonit të Siçilisë

Ministri Pandeli Majko dhe homologu i tij Kosovar Dardan Gashi janë duke zhvilluar takime me drejtues të rajonit të Siçilisë dhe qytetit të Palermos. Në këto takime pune po diskutohet për bashkëpunimin midis autoriteve rajonale e lokale të Siçilisë me qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës. Ministrat zhvilluan takime me kryetarin e Bashkisë të Palermos, Prof. Leoluca Orlando; Presidentin e Kuvendit Rajonal, Gianfranco Miccichè; Zv/Presidentin e Rajonit, Gaetano Armao si dhe autoritete të tjera lokale.

Gjatë takimeve, u diskutua se është koha e duhur për të fuqizuar lidhjen midis komuniteteve tona shqiptare dhe Kosovës sepse për shumë vite ky nuk ka qenë një proces i lehtë. Shqiptarët në Palermo flasin gjuhën shqipe, por nuk e shkruajnë, dhe çështja e gjuhës është e rëndësishme për marrëdhëniet midis komuniteteve, nënvizoi Ministri Majko. Por, nënvizoi ai, identiteti i shqiptarëve në Itali duhet dhe mund të formohet në kuadrin e sistemit shkollor italian. Një hap i rëndësishëm është mësmidhënia e gjuhës shqipe në mjediset e shkollave italiane.

Gjithashtu, Ministri Majko propozoi organizimin e një jave kulturore të shqiptarëve në Siçili, e cila do të promovonte trashëgiminë e çmuar të këtij komuniteti. Ai theksoi se kërkon që ky aktivitet të zhvillohet në Sicili, sepse “shqiptarët këtu kanë shumë nostalgji dhe këtu është një Shqipëri e vjetër”. Java kulturore, e cila mendohet të fillojë të organizohet vitin e ardhshëm, do të sjellë dhe shumë artistë nga Kosova dhe Shqipëria.

Gjatë takimeve u diskutua dhe mundësia e hapjes së një linje ajrore direkte midis Palermos dhe Tiranës, e cila do të lehtësojë lëvizjet e shqiptarëve në përgjithësi, por dhe studentëve midis dy qyteteve. Autoritetet lokale shprehën vullnetin e tyre për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të diskutuara në takime.

l9

Ministrat u shprehën se komuniteti arbëresh është një komunitet i rëndësishëm për Kosovën. Prandaj qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë janë dakordësuar për të bashkëpunuar për zbatimin e projekteve që kanë të bëjnë me gjuhën dhe kulturën. Ata u shprehën se është e rëndësishme te ruhet trashëgimia kulture e arbëreshëve dhe për këtë qëllim kërkuan edhe një mbështetje më të madhe prej autoriteteve lokale.

Vizita e ministrave konkludoi me takimin me Presidentin e Kuvendit Rajonal, Gianfranco Miccichè, i cili u zhvillua në selinë e tij, Palazzo Reale, një pallat me histori 2050 vjeçare.