Postuar më: 23/04/2018

Ministri Majko takon komunitetin shqiptar në Clearwater

1.1

“Komuniteti shqiptar në Clearwater dhe Florida është shumë i fortë”.
Me këto fjalë iu drejtua Ministrit të Shtetit për Diasporën, z. George Cretekos, Kryebashkiak i qytetit të Clearwater në Florida, ku jeton një komunitet i konsoliduar shqiptar. Duke e vënë theksin tek modeli i suksesshëm i integrimit të qytetarëve me kombësi të ndryshme në këtë shtet, Kryebashkiaku siguroi Ministrin se traditat dhe kultura shqiptare vazhdojnë të jetojnë edhe tek brezat e rinj.
“Ne kemi arritur me sukses të bëjmë bashkë shtetas me kombësi të ndryshme, që punojnë, jetojnë bashkë, por edhe ndajnë kulturat që kanë”, tha Kryebashkiaku, i cili ishte i ftuar në takimin e Ministrit Majko me shoqatat që veprojnë ne Florida.

1.2

Përfaqësuesit e shoqatave i thanë Ministrit se komuniteti shqiptar në Florida, edhe pse më i ri se ai në Boston, Michigan apo New York, ishte i konsoliduar dhe i mirëorganizuar. Ata shprehën vullnetin për një bashkëpunim frytdhënës dhe afatgjatë me autoritetet shqiptare. Ndërkaq, Ministri Majko shprehu vlerësimin për organizimin efikas të komunitetit shqiptar në Florida, duke premtuar mbështetje të fortë institucionale për të nxitur një koordinim edhe më të mirë.

“Po përpiqemi të krijojmë një marrëdhënie ligjore institucionalë që diapsora të ndihet pjese e atdheut te vet. Duhet të rishikojmë vetveten si komb, të funksionojmë në kushtet që jemi; nga SHBA e deri ne Liban, ku është krijuar shoqata e arnautëve”, tha Ministri.
Gjatë takimit folën drejtues e përfaqësues të shoqatave të tilla si AANO, Organizatës së Grave Shqiptaro-Amerikane, Motrat Qiriazi, Fondacionit “Albanian Heritage” etj, të cilët prezantuan veprimtaritë e tyre dhe i drejtuan pyetje Ministrit mbi problematika të ndryshme.

Të rejat e fundit