Postuar më: 27/02/2018

Ministri Majko takon shqiptarët e Gjermanisë

4 3

Ministri i Shtetit për Diasporen z. Pandeli Majko zhvilloi një vizitë pune në Gjermani, ku u takua me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe politikës gjermane. Një takim i rëndësishëm ishte ai me përfaqësuesit e shoqatave shqiptare në Dusseldorf. Arsimi shqip në Gjermani, vendosja e standardeve të përbashkëta arsimore me Kosovën dhe problematika të komunitetit shqiptar atje, ishin mes çështjeve të diskutuara gjate takimit. Arsimtarët e njohën Ministrin me situatën e arsimit shqip në landin e Rinit Verior-Vestfali, ku siç thanë, në ato qytete ku mundësohet shkollimi shqip, pjesëmarrja e nxënësve është e konsiderueshme, por mund të ishte më e lartë. Përfaqësuesja e Këshillit të Arsimtarëve e vuri theksin tek potenciali i brezit të ri në Gjermani që po mëson shqip dhe kërkoi më shumë bashkëpunim për krijimin e lehtësirave për ta. U diskutua për kurikulën dhe rolin e teknologjisë në mësimin e gjuhës shqipe. Ministri i Shtetit për Diasporën prezantoi iniciativat që po ndërmerr në këtë aspekt, si ato të librave online dhe krijimit të një rrjeti të profesionistëve në internet. Ai u ndal tek nevoja e një aktiviteti të përvitshëm të librit apo mbledhje të tjera që do të mundësonin komunikime e bashkëpunime të dobishme.

Ministri Majko zhvilloi një takim edhe me deputetin e landit të Rinit Verior-Vestfali nga radhët e SPD-së, Sebastian Watermeier, njëkohësisht Anëtar i Komisionit Parlamentar për Evropën dhe Kulturën e gjithashtu me përfaqësues shqiptarë të politikës gjermane në qytetin e Gelsenkirchen. Në takimin ku ishin të pranishëm anëtarja e Këshillit Bashkiak nga Kosova, Teuta Abazi, Nezahat Kilinç, Drejtoreshë në Bashkinë e qytetit dhe anëtari i Bordit të SPD-së Milazim Jusaj, u tha se shumica e shqiptarëve që jetojnë në Gjermani, janë integruar plotësisht. U fol gjithashtu për procesin e reformave që po ndërmerr Shqipëria në kuadër të integrimit në BE, me politikanin gjerman që shprehu mbështetjen e plotë të vendit të tij. Ndërkaq, znj. Abazi e cila përfaqëson një shembull pozitiv të integrimit të shqiptarëve në Gjermani, e vuri theksin tek nevoja që Shqipëria dhe Kosova të kenë një koordinim më të mirë, në mënyrë që partneriteti me Gjermaninë të jetë më efikas. Ndërsa theksoi nevojën e një dialogu më të ngushtë me pjesëtarë të qeverisë gjermane lidhur me shqiptarët që jetojnë atje, z. Majko i informoi të pranishmit për bashkëpunimin me autoritetet në Kosovë për krijimin e një strukture të përbashkët mbështetëse për diasporën.

Rritja e bashkëpunimit me autoritetet lokale për çështje që prekin shtetasit shqiptarë që jetojnë në Gjermani, ishte në qendër të bisedimeve që zhvilloi Ministri i Shtetit për Diasporën z.Pandeli Majko me z. Mark Speich, Sekretar i Shtetit për Çështjet Federale dhe Evropiane, Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Mediave, në landin e Rinit Verior-Vestfali. Gjatë takimit Ministri e njohu zyrtarin e lartë gjerman lidhur me strategjinë për diasporën dhe hapat e ndërmarrë deri më tani për krijimin e një strukture mbështetëse për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. U fol për integrimin e suksesshëm të shqiptarëve në Gjermani, veçanërisht të mjekëve të shumtë që janë të punësuar në strukturat spitalore.

Një takim i rëndësishëm ishte edhe ai me përfaqësues të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani me të cilët diskutoi për rëndësinë e projekteve të ardhshme që do të mundësojnë kthimin e kapitalit social në Shqipëri. Z. Majko tha se do të përpiqej të nxiste krijimin e një rrjeti mjekësh edhe në Itali dhe Greqi.

Ministri vizitoi gjithashtu Klinikën e Kardiokirurgjisë në Duisburg, shefi i së cilës është mjeku shqiptar Bedri Ramadani. Z. Majko vlerësoi modelin e suksesshëm të integrimit në fushën e mjekësisë dhe tha se krijimi i urave të bashkëpunimit duhet të mbështetet edhe tek eksperienca e mjekëve. Gjatë takimit u diskutua për mundësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e kardiokirurgjisë.

Në shkollën shqipe në Bocholt ku tradita e mësimit të gjuhës shqipe përcillet prej 30 vjetësh, Ministrit bisedoi me nxënësit dhe mësuesen shqiptare.  Gjatë takimit u fol për mundësinë e binjakëzimit të shkollave, shkëmbimin e adresave dhe krijimin e një rrjeti virtual. Ministri Majko kërkoi bashkëpunim për ardhjen e fëmijëve në Shqipëri, si një mënyrë për t’i njohur ata me traditat e kulturën e vendit të origjinës.

Në qytetin e Bocholt, Ministri u takua edhe me pjesëtarë të tjerë të komunitetit shqiptar, mes të cilëve mjekë, inxhinierë, deputetë, juristë etj.  Shqiptarët që jetojnë në këtë qytet u përshkruan si një komunitet shembullor për Gjermaninë, i integruar plotësisht në shoqëri por njëkohësisht duke ruajtur traditat shqiptare.

Me ftesë të sipërmarrësit të suksesshëm shqiptar z. Lazim Destani, Ministri vizitoi zyrat e tij në qendër te Dusseldorf-it. Gjatë takimit miqësor u diskutua për potencialet ekonomike e turistike të Shqipërisë, me theks të veçantë tek iniciativat që do të ndihmojnë për tërheqjen e investimeve të huaja.

Z. Majko mori pjesë edhe në koncertin e organizuar nga shkolla shqipe në Dusseldorf me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

 

Të rejat e fundit