Postuar më: 26/03/2018

Prezantohet në Parma, projekti për angazhimin e diasporës në zhvillimin e Shqipërisë

ee168a18 b8c4 4084 96df b5792a1a0be1

Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko dhe Ministrja e Arsimit znj. Lindita Nikolla zhvilluan një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe qeverisë lokale të Parmës, në kuadër të procesit informues për projektin “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë”. Në takim morën pjesë përfaqësues të IOM në Shqipëri, agjencia e OKB-së që zbaton projektin, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe përfaqësues të Kooperacionit Italian që mbështet financiarisht këtë program. Përfaqësuesit e shoqatës “Skanderbeg”, organizatore e aktivitetit, njohën zyrtarët shqiptarë me inciativat dhe angazhimin e tyre për forcimin e  marrëdhënieve mes bashkisë së Parmës dhe asaj të Tiranës. Në fjalën e tij, Ministri Majko tha se ekzistojnë një sërë pikëpyetjesh sa i përket diasporës, por shqetësimi më i madh sipas tij, është marrëdhënia e ardhshme e shqiptarëvë jashtë vendit me shtetin e tyre. Ministri e vlerësoi si shumë të rëndësishëm projektin e mbështetur nga qeveria Italiane, i pari i këtij lloji.

“Komuniteti shqiptar në Itali është një prej më të mëdhenjve, por përfaqësimi në nivel shtetëror është i papërfillshëm”, tha Ministri.  Ai vlerësoi maksimalisht përpjekjet dhe angazhimin  e shoqatave shqiptare në Itali, por e vuri theksin tek nevoja e nje organizimi më të madh mes tyre. Z. Majko informoi të pranishmit për progresin e shënuar sa i përket institucionalizimit të marrëdhënies me diasporën dhe përmendi konsensusin maksimal që ekziston mbi këtë çështje. Edhe në këtë takim ai u ndal tek përpjekjet që po bëhen për garantimin e të drejtës së votës, që sipas tij do të mundësojë përfaqësimin e diasporës në parlament.

“Kemi ide të mëdha por nuk dua të tregohem entuziast para kohe. Shpresojmë që edhe më ndihmën tuaj, t’i kthejme shume shpejt në realitet”, vijoi Ministri.  Arsimin e ai e quajti si “thembrën e Akilit” dhe këtë e dëshmon prania e Ministres Nikolla në takim.

“Secili prej jush ka një histori për të rrëfyer. Modelet e suksesshme të integrimit dhe ruajtjes se traditave shqiptare, jo vetëm që duhet të mbështeten nga shteti shqiptar por duhet të shërbejne si shembull”, tha Ministrja Nikolla në fjalën e saj. Ajo falënderoi shtetin Italian për mbështetjen që i ka dhënë arsimit dhe vlerësoi projektet që do të mundësojnë shkëmbime studentore e akademikësh dhe krijimin e një bazë të dhënash për mësuesit e diasporës. “Këtyre mësuesëve duhet t’u bëhemi një krah i fortë mbështetës”, shtoi më tej znj. Nikolla. Ndërkaq, përfaqësuesi i Kooperacionit Italian z. Endri Xhaferaj, tha se besonin në një model të ri të qasjes ndaj komuniteteve me eksperiencë domëthënëse, si ai shqiptar.  Shqipëria, sipas tij, ka një vend prioritar në programin e Kooperacionit Italian, që vepron në mbi 60 shtete. Me herët, dy Ministrat takuan në stadiumin e Parmës, lojëtarët e skuadrës “Skanderbeg Parma”, e menaxhuar nga një shqiptar.

Të rejat e fundit