Postuar më:18/06/2018

Reforma për diasporën; takimi i parë i Komitetit Shtetëror për Diasporën

komiteti per diasporen

Reforma për diasporën. Kjo ishte tema e takimit të parë të  Komitetit Shtetëror për Diasporën, i mbajtur të hënën në ambientet e Kryeministrisë. Misioni i Komitetit të drejtuar nga Kryeministri,  e që ka në përbërje Ministrat kryesorë, është përgatitja e linjave orientuese për politikat e reja në fushën e diasporës, propozimi i mekanizmave ligjorë dhe institucionalë për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve jashtë vendit, nxitja e dialogut dhe koordinimit për zbatimin e strategjisë etj.

Në mbledhjen e parë të Komitetit ishte i pranishëm Kryeministri z. Edi Rama dhe gjithashtu anëtarët e tjerë, Ministri i Jashtëm z. Ditmir Bushati, Ministrja e Kulturës. Znj. Mirela Kumbaro, Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjoni, Ministri i Turizmit z. Blendi Klosi, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Genti Sejko etj.

Përpara anëtarëve të Komitetit, z. Majko prezantoi të gjithë reformën legjislative të realizuar deri më tani në fushën e diasporës, Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Diasporën, programin lidhur me samitin e dytë të diasporës që pritet të mbahet në nëntor, propozimet mbi të drejtën e votës për shtetasit jashtë vendit dhe gjithashtu pasqyrën financiare të vizitave të Ministrit të Shtetit për Diasporën.

Ndërsa e vuri theksin tek rëndësia e një strategjie të qartë për diasporën, Ministri Majko tha se nevojitet një strukturë e cila do t’u imponohet institucioneve në mënyrë që zbatimi të jetë sa më efikas.

“Jemi në fundin e fazës së parë të reformës për diasporën; gjithçka e kemi të strukturuar me ligj”, tha z. Majko.

Ai u ndal gjithashtu tek problematikat më urgjente për zgjidhje si regjistrimi, kurikula mësimore, struktura e shpërndarjes së librave për nxënësit jashtë vendit etj.

IMG 5082