Postuar më: 03/04/2018

Takim me drejtorin e Institutit të Diasporës në Ankara

1

Në takimin e zhvilluar në Institutin e Diasporës në Ankara, Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, mori garancinë për përkushtimin e veçantë të autoriteteve turke lidhur me diasporën shqiptare atje. Drejtori i këtij instituti, z. Mehmet Köse, u shpreh i nderuar nga vizita e z. Majko në Turqi dhe theksoi nevojën e bashkëpunimit me autoritetet shqiptare për problematika të diasporës.
‘Bashkëpunimi në këtë fushë është jetësor, veçanërisht për një komunitet të madh e të rëndësishëm si ai shqiptar në Turqi’ , ishin fjalët e drejtorit të Institutit që ofron bursa të niveleve të ndryshme për studentët shqiptarë.
Gjatë bisedës miqësore mes dy zyrtarëve u fol për marrëdhënien e veçantë që kanë të dyja vendet, për zakonet dhe traditat që i lidhin ato. Z. Köse u dakordësua me Ministrin Majko mbi nevojën e ruajtjes së identitetit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Ai informoi Ministrin mbi angazhimet e institucionit të drejtuar prej tij në këtë aspekt.
“Po humbe gjuhën ke humbur një pjesë të identitetit dhe për këtë arsye ne kemi mbledhur specialistë të fushave të ndryshme në këtë institut”, vijoi zyrtari turk. Ai tha se po punohet për krijimin e infrastrukturës së nevojshme që do të ndihmojë në krijimin e një sistemi dygjuhësor.

Ministri nga ana e tij shprehu falënderimet për mbështetjen që Turqia u ka ofruar emigrantëve shqiptarë. Ai informoi të pranishmit mbi progresin e shënuar sa i përket përpjekjeve për të institucionalizuar marrëdhëniet e shtetit shqiptar më diasporën. Z. Majko e vuri theksin tek rëndësia e bashkëpunimit për projekte të përbashkëta.
“Numri i madh i shqiptarëve që jetojnë në Turqi, e kthen në prioritet çështjen e organizimit të tyre”, tha Ministri. U fol gjithashtu për përpjekjet qe po bëhen për t’u garantuar emigrantëve të drejtën e votës, me zyrtarin Turk që informoi Ministrin lidhur me eksperiencën e Turqisë. Autoritetet turke, sipas tij, janë të gatshme të ndihmojnë Shqipërinë për të kthyer në realitet këtë ambicie. Në vizitën e tij në Institutin e Diasporës, Ministri u shoqërua nga Ambasadori i Shqipërisë në Turqi, z. Genti Gazheli.

Të rejat e fundit