Postuar më:10/04/2018

Takim me rrjetin e bizneseve shqiptare në Zvicër

cbb8da31 2db9 48fc 9a81 78c7866694bd

Krijimi i kushteve të favorshme për tërheqjen e investimeve nga diaspora, ishin në fokus të takimit që Ministrat Pandeli Majko dhe Dardan Gashi zhvilluan me përfaqësues të rrjetit të bizneseve shqiptare në Zvicër e atyre në Gjermani. Ministrat e Diasporës së Shqipërisë dhe Kosovës informuan të pranishmit lidhur me bashkëpunimin e dy shteteve për ta trajtuar diasporën si një të tërë dhe përpjekjet që po bëhen për të mundësuar shfrytëzimin e efektshëm të potencialit jashtë vendit. Duke e vënë theksin tek numri i lartë i sipërmarrësve shqiptarë në Zvicër, Gjermani, por edhe në vendet e tjera të botës, z. Majko pranoi rolin jetësor që do të kishin investimet në rritjen ekonomike.  Ndërsa pranoi sfidat e mëdha me të cilat përballen për t’u garantuar sipërmarrësve një ambient të favorshëm, Ministri theksoi se qeveria po ndërmerr reforma të rëndësishme në këtë aspekt. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e bizneseve, kërkuan mbështetjen e dy qeverive në identifikimin dhe regjistrimin e sipërmarrësve shqiptarë në Zvicër dhe Gjermani. Të dhënat,  sipas tyre, do t’u vijnë në ndihmë jo vetëm atyre por edhe shteteve.  Sipërmarrësit folën për projektet dhe investimet e bëra në vendet e origjinës e gjithashtu kontributin e dhënë në sigurimin e bursave për studentët shqiptarë.  U diskutua gjithashtu për rëndësinë e mundësimit të një hapësire televizive për aktivitet e diasporës, në mënyrë që potenciali i shtetasve shqiptarë jashtë vendit, të mos jetë më i panjohur.

Të rejat e fundit