Postuar më:06/02/2018

Takimi me ‘APEN’, diskutohen projekte për diasporën

apen1

Mes takimeve që po zhvillon Ministri i Shtetit për Diasporën në SHBA, i një rëndësie të veçantë ishte edhe ai me Shoqatën APEN në New York. E krijuar 11 vite më parë, Shoqata ka si qëllim bashkimin dhe promovimin e shqiptarëve profesionistë, të tillë si sipërmarrës apo artistë të rinj. Në qendër të aktiviteteve të APEN është brezi i ri. Ndërsa i përgëzoi përfaqësuesit e Shoqatës së drejtuar nga znj. Etrita Ibroci për punën e tyre, Ministri theksoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve vjetore ku të trajohen tema të rëndësishme që prekin komunitetin shqiptar në SHBA. Kjo sipas z. Majko, do të ishte një mënyrë efikase për konsolidimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me diasporën e saj. Ministri foli për stadet e vështira në të cilat ka kaluar diaspora shqiptare, duke përmendur edhe sfidën e ruajtjes së gjuhës tek brezat e rinj. Z. Majko bëri thirrje për një koordinim më të mirë, duke u kërkuar përfaqësueseve të Shoqatës të propozojnë projekte konkrete që do të mund të diskutohen gjatë tryezave të zhvilluara në Tiranë ose Prishtinë. Krijimi i një rrjeti të studentëve jashtë vendit, do të përfaqësonte sipas tij, një hap konkret drejt konsolidimit të bashkëpunimit. Ministri i Shtetit për Diasporën i informoi të pranishmit lidhur me hapat e ndërmarrë deri më tani në bashkëpunim me qeverinë. “Duam të ndryshojmë konceptin e të menduarit si komb e po studiojmë modelet e trajtimit të diasporës’, ishin fjalët e z. Majko.

U fol gjithashtu për planet e krijimit të një Dhome të Tregtisë dhe mbi Fondin për Diasporën. Drejtuesja e APEN, Etrita Ibroci e vuri theksin tek rëndësia e organizimit të një samiti ku do të diskutohej për projekte konkrete për disporën. Ministri tha se ishte e nevojshme përfshirja më e madhe e të rinjve, të cilët mund të parashtrojnë idetë e tyre mbi zhvillimin e komunikimit të drejtpërdrejtë. Takimi u mbajt në ambientet e përfaqësisë sonë diplomatike në New York, ku binin në sy fotografitë e artistit të njohur shqiptar Fadil Berisha.

 

 

Të rejat e fundit