Postuar më: 05/04/2018

Takimi me shoqatat shqiptare në Stamboll

195b4685 8c48 4198 ac6b 09bfc9274a87

Vizitën e Ministrit të parë për Diasporën në Turqi, shqiptarët e Stambollit e kanë cilësuar si një moment shumë të veçantë. “Shqiptarët kanë ardhur këtu që prej 1850-s, por pavarësisht se jetuan e u shkolluan në këtë vend, gjithmonë kanë qenë krenarë për origjinën e tyre”, tha një prej përfaqësuesëve te komunitetit shqiptar në Stamboll. Edhe Ministri Majko shprehu kënaqësinë e veçantë për takimin me përfaqësuesit e komunitetit, të organizuar nga shoqata “Vatra”.
“Shqiptarët janë pjesë e pandashme e historisë së Turqisë moderne. Miqësia e ndërtuar nga popujt tanë e jo politikanët, ka ndikuar në formësimin e atyre që ne jemi sot”, ishin fjalët e z. Majko.
Ai informoi të pranishmit lidhur me takimet e rëndësishme që kishte zhvilluar me përfaqësuesit e lartë të qeverisë turke, me të cilët siç tha, ishte dakordësuar për projekte në interes të shqiptarëve që jetojnë atje. Ministri foli për rëndësinë e krijimit të qendrave të tjera kulturore si ajo e Ankarasë dhe koordinimit më të mirë të shtetasve me origjinë shqiptare që jetojnë atje. Në këtë aspekt, u ndal tek bashkëpunimi me qeverinë e Kosovës, për ngritjen e qendrave kulturore në shtete të ndryshme. I pyetur nga përfaqësuesit e komunitetit mbi mundësimin e gjuhës standarde në qendrat ku ofrohen kurse të gjuhës shqipe, z. Majko foli për iniciativën e realizimit të një kurikule të përbashkët me Kosovën dhe regjistrit zyrtar të të gjithë mësuesëve të diasporës.

Të rejat e fundit