Postuar më: 30/04/2018

Tryeza e rrumbullakët “Mbi të drejtat e shtetasve shqiptarë të privuar nga liria jashtë vendit”

feature majko

“Diasporën po e konsiderojmë me të drejtë një cilësi kombëtare. Si e tillë ajo duhet diskutuar në të gjithë gjerësinë e saj. Klisheja se diaspora përfaqësohet vetëm nga suksesi duhet ndryshuar. Në diasporë bëjnë̈ pjesë edhe ata që për arsye të ndryshme, kryesisht të ndodhur në kushtet e mbijetesës, kaluan kufijtë e ligjit në vendet pritëse. Ata ndodhen të dënuar në kushtet e mungesës së lirisë por kjo nuk i përjashton, përkundrazi, shton përgjegjësinë e shtetit karshi tyre”

majko 1

majko 2

Kështu e nisi fjalën e tij Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, në tryezën e rrumbullakët me temë, “Mbi të drejtat dhe liritë e shtetasve shqiptarë të privuar nga liria jashtë vendit”. Në të parin debat të këtij lloji, të organizuar më nismë të Ministrit Majko në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe nën kujdesin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Majko tha se kjo çështje nuk mund të shtyhej më, përballë shifrave të emigracionit dhe numrit të lartë të të burgosurve jashtë vendit.

“Shtetasit shqiptarë të privuar nga liria jashtë vendit nuk janë pak, veçanërisht në vendet fqinje ku edhe përqendrohen komunitetet më të mëdha shqiptare. Mendohet se më shumë të dënuar apo paraburgosur shqiptarë ka jashtë vendit, se sa brenda tij. Sipas statistikave, në Greqi janë rreth 1655 shtetas shqiptarë të dënuar apo paraburgosur, në Itali rreth 1600 shtetas shqiptarë të burgosur, nga të cilët 100 në paraburgim.  Në Gjermani janë 768  shtetas shqiptarë të burgosur, në Britani 750 vetë, në Holandë 92 vetë, ndërsa në Austri rezultojnë 52 shtetas shqiptarë të burgosur ose në paraburgim. Këto statistika i përkasin llogaritjeve deri në shtator 2017”, u shpreh Ministri Majko.

Ministri i Shtetit për Diasporën u ndal tek nevoja e mundësimit të një qasje më të lehtë ndaj informacionit për shtetasit e privuar nga liria jashtë vendit, të cilët siç tha, shpesh bëhen viktima të avokatëve të padobishëm vendas apo keqtrajtimeve, ndaj të cilave nuk kanë as ku të ankohen. Ai foli për rëndësinë e një koordinimi më të mirë me ambasadat dhe krijimin e një baze të dhënash me listën e avokatëve shqiptarë jashtë vendit, të disponueshëm për të ofruar ndihmë ligjore.

majko 3

Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, njëkohësisht moderatore e diskutimit znj. Vasilika Hysi përmendi disa prej çështjeve që kanë nevojë të adresohen me mirë nisur nga kjo tryezë, të tilla si; inkurajimi i institucioneve dhe agjencive për forcimin e bashkëpunimit penal ndërkombëtar dhe rritja e rolit të institucioneve të pavarura kushtetuese për monitorimin e respektimit të të drejtave të shtetasve shqiptarë që vuajnë dënimin jashtë vendit.

”Në këtë fushë ka nevojë për një bashkëpunim më të mirë mes institucioneve të të drejtave të njeriut dhe kontributit të shoqërisë civile që punon në fushën e të drejtave të njeriut”, tha znj. Hysi.

Ndërkaq, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme z. Ditmir Bushati tha në fjalën e tij se ekziston nevoja për të strukturuar më mirë punën me shtetet e tjera, për të kanalizuar më mirë shqetësimet për statistikat apo shërbimet konsullore. Z. Bushati e vuri theksin tek nevoja për të punuar më shumë mbi shërbimet e specializuara online.

majko 4

majko 5

Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj tha se zhvillimi i një debati të tillë vjen në një moment kyç dhe se për herë të parë shtetasit e privuar nga liria jashtë vendit vihen në qendër të vëmendjes. Sipas saj, në 6 shtetet ku ka më shumë shqiptarë, janë te burgosur ose paraburgosur rreth 4500 bashkëkombës. Ministrja përmendi marrëveshjen e nënshkruar me Italinë lidhur me të burgosurit shqiptarë atje dhe shprehu përkushtimin për nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera.

Në panelin e të ftuarve ishte edhe Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri z.Robert Wilton, i cili përgëzoi iniciativën, që siç tha, inkurajon trajtimin me dinjitet e standarde ndërkombëtare të të dënuarve shqiptare jashtë vendit. Ai u shpreh se të burgosurit shqiptarë jashtë vendit duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë me ata vendas.

Pjesë e rëndësishme e diskutimit ishin edhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Të rejat e fundit