Postuar më: 26/01/2018

Vizita e Ministrit të Shtetit për Diasporën në Athinë

foto

Ministri i Shtetit për Diasporën z Pandeli Majko, gjendet në një vizitë dy ditore në Greqi, gjatë së cilës po takohet me zyrtarë e përfaqësues të komunitetit shqiptar që jeton atje. Takimin e parë në Athinë, z. Majko e zhvilloi me Kryetaren e Grupit të Miqësisë Shqipëri – Greqi, znj. Meropi Tzoufi. Gjatë bisedimeve u vu theksi tek fqinjësia e mirë mes dy vendeve, forcimi i marrëdhënieve dhe avancimi i bashkëpunimit dypalësh. Ministri i Shtetit për Diasporën dhe Kryetarja e Grupit të Miqësisë Shqipëri-Greqi u dakordësuan mbi nevojën e koordinimit për aktivitete e projekte të përbashkëta.

 

Në takimin me Zëvendës Guvernatorin e rajonit të Atikës, z. Petros Filippou, u prekën çështje të interesit dypalësh, me në fokus komunitetin shqiptar që jeton në Greqi. Ndërsa theksoi se shtylla e vërtetë e raportit mes Greqisë dhe Shqipërisë janë marrëdhëniet njerëzore, z. Filippou u tregua i gatshëm të ndihmojë për nxitjen e bashkëpunimit me autoritetet rajonale.

 

 

Gjatë qëndrimit në Athinë, Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko u takua edhe me gazetarët dhe korrespondentët në Greqi, me të cilët zhvilloi një bisedë të frytshme lidhur me komunitetin shqiptar atje. Në takim u fol për integrimin dhe rëndësinë e aktiviteteve për diasporën që jeton në Greqi. Një çështje e rëndësishme e përmendur në diskutime ishte plani për organizimin e një forumi të përvitshëm mes Shqipërisë dhe Greqisë ku do të përfshihen, përfaqësues të brezit të dytë, biznese, politikanë, akademike etj.

 

Me pas, z. Majko u takua me mësuesit e gjuhës shqipe në Athinë. Ministri i njohu ata me hapat dhe iniciativat që po ndërmerren për krijimin e lehtësirave për mësuesit e diasporës shqiptare. U përmendën plane konkrete që do të mundësojnë një qasje më te lehtë ndaj librave shkollorë.

 

 

Gjatë bisedimeve të zhvilluara me një grup studentësh shqiptarë, Ministri Majko i informoi ata mbi një projekt në fazë të avancuar, i cili do tu mundësojë atyre të njohin më mirë Shqipërinë. Ministri i Shteti për Diasporën i ftoi ata të vijnë në atdhe për të diskutuar mbi plane konkrete, sipas fushës së tyre të interesit.

 

 

Ne takimin me përfaqësuesit e shoqatave shqiptare u diskutua mbi projekte që do të synojnë mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve. Ministri u kërkoi atyre të jenë më aktivë e më të organizuar në shërbim të komunitetit shqiptar atje. Z. Majko i informoi ata me nismat që po ndërmerr ministria, të tilla si panaire, duke propozuar bashkëpunim në këtë aspekt. Nga ana e tyre përfaqësuesit e shoqatave e njohën Ministrin me problemet kryesore me të cilat përballet komuniteti shqiptar në Greqi.

 

Të rejat e fundit