Postuar më: 16/01/2018

Vizita e Ministrit të Shtetit për Diasporën në Ukrainë

2018 01 14 PHOTO 00000313

Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko u bë zyrtari i parë i lartë që vizitoi një prej diasporave shqiptare më të vjetra, atë në Ukrainë. Prej rreth 300 vjetësh, atje banojnë mbi 4 mijë persona me origjinë shqiptare, shumica e të cilëve janë përqëndruar në fshatin Karakurt, në rajonin e Odesës. Gjatë ndalesës së tij në fshatin ku zakonet shqiptare jetojnë ende, Ministri Majko i shoqëruar nga Ambasadorja Shqiptare Shpresa Kureta, vizitoi shkollën ku mësohet gjuha shqipe. Atje diskutoi me autoritetet rajonale e drejtues të shkollës mbi nevojat dhe problematikat e nxënësve te komunitetit shqiptar dhe parashtroi propozime konkrete për krijimin e lehtësirave për ta. Ministri i Shtetit për Diasporën këmbënguli që brezi i ri të vijë në Shqipëri, për ta parë nga afër vendin e origjinës. “Gjaku nuk bëhet ujë’-ishin fjalët e Z.Majko i cili premtoi se do të ketë gjithmonë një sy e një vesh për shqiptarët e Ukrainës. Ai tha ndër të tjera se kishte shkuar atje si shqiptar e jo si politikan.

Majko

 

Gjatë qëndrimit në Karakurt, Ministri i Shtetit për Diasporën vizitoi edhe Shtëpinë e Kulturës ku performuan një sërë grupesh artistike të komunitetit shqiptar.

Ndalesa tjetër ishte Kievi, ku Ministri i Shtetit zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të qeverisë, ndër te cilët Zv.Kryeministren Ivanna Klympush-Tsintsadze. Gjatë takimit u vu theksi tek nxitja e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve dhe u fol gjithashtu për firmosjen e një marrëveshje për tregtinë e lire. Ministri Majko ftoi Zv.Kryeministren Ukrainase të vizitonte Shqipërinë.

 

I rëndësishëm  ishte edhe takimi me Zv.Ministrin e Parë të Arsimit dhe Shkencës, Kovtunets Vladimir Vitalievich. Bisedimet prodhuan dy rezultate të rëndësishme si, krijimi i Katedrës Shqipe në Ukrainë dhe dakordësimi lidhur me bursat për studentët shqiptarë në nivelet Bachelor, Master dhe Phd. Gjithashtu, me ndërmjetësimin e Ambasadores Kureta, nisën negociatat për shkëmbim eksperiencash mes studentëve. Ministri i Shtetit për Diasporën u prit në takim edhe nga Zv.Ministri i Punëve të Jashtme Bodnar Vasily Mironovich. Ne fokus të bisedimeve ishin politikat me interes të përbashkët dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të mundshme të bashkëpunimit. Takime të frytshme pati edhe në Ministrinë e Kulturës.

 

Të rejat e fundit