Postuar më: 28/03/2018

Vizita në Asamblenë e Emilia Romagna

1.1 2

Gjatë vizitës së punës në Emilia Romagna, Ministrat Pandeli Majko dhe Lindita Nikolla zhvilluan një takim të rëndësishëm me Presidenten e Asamblesë Legjislative të rajonit, znj. Simoneta Saliera e gjithashtu zyrtarë të tjerë të qeverisë lokale. Në takimin ku ishte i pranishëm edhe Zëvëndëspresidenti i Komisionit të Politikave Ekonomike të këtij rajoni, Ministri Majko përsëriti nevojën e një bashkëpunimi sa i përket organizimit të bizneseve shqiptare. Ky organizim sipas Ministrit, do të ndihmonte shumë edhe bizneset italiane për të penetruar në Shqipëri. Zëvendëspresidenti i Komisionit për Politikat Ekonomike e cilësoi këtë si një ide të mire dhe tha se rajoni i Emilia Romagna i ka kthyer në prioritet, ato që i etiketoi si politika të rrjetit.

Gjatë bisedimeve u fol për mundësinë e organizimit të një takimi vjetor të sipërmarrësve shqiptarë me mbështetjen rajonale. Presidentja e Asamblesë Legjislative të Emilia Romagna, znj. Simoneta Saliera vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar në rajon dhe iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Ministrit Majko për të ndihmuar në lehtësimin e kushteve për mësimin e gjuhës shqipe. U fol edhe për mundësinë e organizimit të një panairi libri. Nga ana e saj, Ministrja Nikolla u ndal tek rëndësia e realizimit të kurseve të gjuhës e kulturës shqipe, si një mënyrë për të mos u larguar nga ato vlera, që Shqipëria kërkon t’i ruajë të gjalla në Europë. Një çështje e prekur në takim ishte edhe ajo e integrimit të vendit tonë në Be, me autoritetet rajonale që shprehën mbështetjen e tyre të plotë.

Më pas dy Ministrat zhvilluan një bashkëbisedim me përfaqësues të shoqatave e komunitetit shqiptar në Bologna. Ata informuan të pranishmit mbi rezultatet e takimeve dhe problematikat e trajtuara me autoritetet rajonale.

Z. Majko e znj. Nikolla iu përgjigjën pyetjeve të komunitetit mbi çështje të tilla si e drejta e votës së emigrantëve, përfaqësimi i tyre në parlament, arsimi etj. U fol gjithashtu për institucionet që po krijohen për të mbështetur diasporën. Në këtë aspekt, Ministri Majko i kërkoi komunitetit shqiptar të ndihmojë me projekte e ide të vlefshme.

Të rejat e fundit