Postuar më: 27/03/2018

Vizita në Parma, takime me autoritete lokale e studentë

11 1

Ministrat Pandeli Majko dhe Lindita Nikolla u pritën në Bashkinë e Parmës nga zyrtarë të qeverisë lokale, si Presidenti i Këshillit Komunal z. Alessandro Tassi Carboni e Këshilltari i Komunës, z. Leonardo Spadi. Gjatë takimit u diskutua për forcimin e marrëdhënieve dhe intensifikimin e shkëmbimeve kulturore dhe ekonomike mes dy vendeve. Ministri Majko falënderoi komunën dhe institucionet italiane që kanë përkrahur integrimin e shqiptarëve, duke kërkuar së bashku me Ministren Nikolla, më shumë përpjekje për përfshirjen e gjuhës shqipe në sistemin arsimor. Ndërkaq, përfaqësuesit e komunës vlerësuan lart kapacitetet dhe aftësitë integruese të shqiptarëve.

Gjatë qëndrimit në Emilia Romagna, dy Ministrat u takuan edhe me studentë shqiptarë të universitetit të Parmës. Të rinjtë u njohën me disa pika të projektit “Angazhimi i diasporës shqiptare në zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë”, i cili parashikon ndër të tjera, shfrytëzimin e potencialit të të rinjve të talentuar në Itali për zhvillimin e vendit. Ministrat dëgjuan shqetësimet e studentëve shqiptarë, duke premtuar se do të tregoheshin të vëmendshëm dhe do të bashkëpunonin me autoritetet rajonale për zgjidhjen e problematikave. Gjate bisedës miqësore u fol për pritshmëritë e studentëve mbi rikthimin e tyre të mundshëm në Shqipëri, me Ministrat që theksuan angazhimin e qeverisë për krijimin e kushteve të favorshme në këtë aspekt. Z. Majko inkurajoi studentët të tregonin vullnet dhe ambicie, e në të njëjtën kohë, të konsideronin që aftësitë e potencialin e tyre ta vinin në dispozicion të zhvillimit të Shqipërisë.

Të rejat e fundit