Postuar më: 04/02/2018

Vizita në SHBA, takime me komunitetin në Detroit

Webp.net resizeimage

Në takimin e zhvilluar me përfaqësues të komunitetit shqiptar në ‘Troy Community Center’ në Detroit,  Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko foli për hapat e ndërmarrë deri më tani dhe gjithashtu për projektet që synojnë mbështetjen dhe krijimin e lehtësirave për shqiptarët e diasporës. Z.Majko informoi komunitetin shqiptar në Miçigan lidhur me Nënkomisionin për Diasporën dhe Migracionin, Komitetin Shtetëror për Diasporën i cili drejtohet nga Kryeministri, Agjencinë Kombtare te Diasporës dhe qëllimin e saj, e gjithashtu Projektligjin për Diasporën, që siç tha do të rregullojë shtyllat kryesore të organizimit të marrëdhënies së shtetit shqiptar me diasporën e tij.

Ndërsa përmendi përpjekjet  për ti garantuar shqiptarëve jashtë vendit të drejtën e votës, Ministri theksoi se diaspora duhet të ketë edhe përfaqësimin e vet politik. Të pranishmit i drejtuan pyetje Ministrit lidhur me prioritetet afatshkurtra dhe afatgjata, mbi mënyrat e bashkëpunimit me diasporën , strategjinë dhe mundësinë e organizimit të ndonjë samiti të diasporës në të ardhmen e afërt.

Më pas,  z. Majko u takua me studentë shqiptarë, me të cilët bisedoi lidhur me iniciativat që do të përfshijnë këtë pjesë të komunitetit. Ministri përmendi platformën online për diasporën ‘Germin’ dhe synimet për integrimin brenda saj të një platforme për studentët shqiptarë jashtë vendit. U fol gjithashtu për iniciativat në fushën e investimeve, me z. Majko që përmendi synimet për krijimin e një dhome tregtie për diasporën e gjithashtu projekte të tjera që do shërbejnë si guidë për ata që duan të investojnë në Shqipëri. Nje çeshje për të cilën pati shumë interes, ishte e drejta e votës. Ministri  Majko informoi të rinjtë lidhur me draftin e paraqitur në komisionin e kuvendit, duke bërë me dije përmbajtjen e tij.

Në fund të takimeve, Ministri i Shtetit për Diasporën dha një intervistë për televizionin ‘Albanian Tv of America’ ku foli për çështjet e diskutuara me komunitetin shqiptar atje, për strategjine për diasporën dhe tema të tjera që prekin shtetasit tanë jashtë vendit.

 

Të rejat e fundit