Postuar më: 23/01/2018

Votimi i shtetasve shqiptarë jashtë vendit

Image 1 11

‘Vota e shtetasve jashtë vendit ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e komuniteteve shqiptare në vendet e ndryshme ku ata janë vendosur. Ajo është shprehje e evoluimit dhe ndryshimit strukturor të migracionit të ri shqiptar pas viteve 90-të. Ata nuk janë emigrantët e paligjshëm të djeshëm por qytetarë me status juridik të rregulluar në vendet pritëse dhe një diasporë e re Shqipërisë në perëndim. Tashmë shqiptarët e shpërndarë në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe deri në Australi kërkojnë të jenë pjesëmarrës në fatin politik e atdheut të tyre’


Kështu u shpreh Ministri i Shtetit për Diasporën në fjalën e tij gjatë tryezës së rrumbullakët “Votimi i shtetasve shqiptarë jashtë vendit”, e organizuar nga z.Pandeli Majko, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Tiranë dhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Gjatë aktivitetit të moderuar nga Zv.kryetarja e Parlamentit, znj.Vasilika Hysi, e ku ishin të ftuar ambasadorë të huaj, deputetë, përfaqësues të Komisionit për Reformën Zgjedhore, KQZ-së e gjithashtu ekspertë e pjesëtarë të shoqërisë civile. Ministri i Shtetit për Diasporën argumentoi përse është e domosdoshme përfshirja e shqiptarëve të diasporës në votim.


“Reforma Elektorale në kuadrin e të drejtës së votës së shtetasve jashtë vendit ka një rëndësi madhore për reflektimin në organizimin e brendshëm të shoqërisë shqiptare. Ajo do të sjellë një freski politike elektorale, do të rrisë përgjegjshmërinë e politikëbërjes sa edhe do të rrisë presionin pozitiv për standarde në qeverisjen e vendit. Nga ana tjetër, vota e shtetasve shqiptarë jashtë vendit do ta lidhë edhe më fort të ardhmen e vendit me procesin e integrimit europian të vendit. Pas kësaj reforme elektorale do të kemi qeveri të cilat do ta mbështesin legjitimitetin e tyre edhe në votën e shtetasve të vet në Perëndim”, tha Ministri, i cili përmendi gjithashtu hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për të mundësuar realizimin e këtij objektivi. Z.Majko kërkoi rregullimin e regjistrimit të shtetasve jashtë vendit, duke përmendur në këtë aspekt edhe një rastësi pozitive; plotësimi i afatit 10 vjeçar të dokumenteve të identifikimit. Kjo, sipas Ministrit, do të thotë se ato do të ripërtërihen për të gjithë shtetasit shqiptarë duke mundësuar kështu edhe deklarimin e adresave të sakta. Ne fjalën e tij, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u shpreh se duke u dhënë të drejtë vote shtetasve shqiptarë jashtë vendit, u ofron atyre një lidhje shpirtërore e besimi me vendin ku kanë lindur. Si prioritet ai cilësoi identifikimin dhe regjistrimin e adresave të shqiptarëve jashtë vendit. Ndërkaq, kryetari në detyrë i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z.Robert Wilton tha se çështja ishte sa e rëndësishme aq edhe komplekse, duke theksuar gatishmërinë e OSBE-së për të ndihmuar në konkretizimin e përpjekjes për përfshirjen e diasporës ne votim. Ndërsa kritikoi opozitën për mospjesëmarrjen në konferencë, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z Taulant Balla tha se reforma zgjedhore nuk mund të quhet e plotë pa garantuar votimin e shqiptarëve të diasporës. Gjatë tryezës së rrumbullakët folën gjithashtu edhe deputetë, përfaqësues të Komisionit të Venecias, Komisionit të Reformës Zgjedhore, ekspertë etj.

Fjalimi i plotë i Ministrit të Shtetit për Diasporën
Të nderuar pjesëmarrës
Vota e shtetasve të Shqipërisë jashtë vendit është një diskutim i cili ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Ai përbën një risi të diskutimeve politike në vend dhe po ashtu është një reformë elektorale e cila kërkon një diskutim të hapur. Vota e shtetasve jashtë vendit ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e komuniteteve shqiptare në vendet e ndryshme ku ata janë vendosur. Ajo është shprehje e evoluimit dhe ndryshimit strukturor të migracionit të ri shqiptar pas viteve 90-të. Ata nuk janë emigrantët e paligjshëm të djeshëm por qytetarë me status juridik të rregulluar në vendet pritëse dhe një diasporë e re Shqipërisë në Perëndim.
Tashmë shqiptarët e shpërndarë në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe deri në Australi kërkojnë të jenë pjesëmarrës në fatin politik e atdheut të tyre. Kjo është një kërkesë e natyrshme. Pjesmarrja dhe kontributi shtetasve jashtë vendit ishte thelbësor në shpëtimin e Shqipërisë nga kolapsi ekonomik. Prurjet finaciare të remitancave të shtetasve jashtë vendit në vendlindje tejkalon cdo ndihmë financiare që vendi ka marrë nga ndonjë institucion ndërkombëtar.
Shqipëria në muajt e fundit ka ecur me shpejtësi në vlerësimin e reformës së krijimit të një politike të re shtetërore për diasporën. Në Kuvendin e Shqipërisë, në Komisionin e Politikës së Jashtëme u krijua Nënkomisioni për Diasporën dhe Migracionin. Ndërkaq, me Vendim të vecantë të qeverisë shqiptare është krijuar Komiteti Shtetëror për Diasporën i cili drejtohet nga Kryeministri.
Në dhjetor të vitit të kaluar Kuvendi i Shqipërisë miratoi për herë të parë Ligjin për Agjencinë Kombëtare të Diasporës. Ndërkaq, pranë Kuvendit është dërguar për miratim nga qeveria Projektligji “Për Diasporën”. Ai do të rregullojë shtyllat kryesore të organizimit të marrëdhënies së shtetit shqiptar me diasporën e tij.
Për marrëdhëniet me Diasporën, qeveria shqiptare ka nënshkruar dy marrëveshje me shtetin e Kosovës në nivelin e Kryeministrave. Po ashtu, po negociohen marrëveshje të kësaj natyre me Maqedoninë dhe Malin e Zi.
Reforma Elektorale në kuadrin e të drejtës së votës së shtetasve jashtë vendit ka një rëndësi madhore për reflektimin në organizimin e brendshëm të shoqërisë shqiptare. Ajo do të sjellë një freski politike elektorale, do të rrisë përgjegjshmërinë e politikëbërjes sa edhe do të rrisë presionin pozitiv për standarte në qeverisjen e vendit. Nga ana tjetër, vota e shtetasve shqiptarë jashtë vendit do ta lidhë edhe më fort të ardhmen e vendit me procesin e integrimit europian të vendit. Pas kësaj reforme elektorale do të kemi qeveri të cilat do ta mbështesin legjitimitetin e tyre edhe në votën e shtetasve të vet në Perëndim. Një arsye tjetër që nxit një vendimarrje sa më shpejtë në Kuvendin e Shqipërisë në këtë drejtim është edhe rregullimi i rregjistrimit të shtetasve jashtë vendit. Ky proces kerkon një kujdes të vecantë administrativ. Regjistrimi i shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë ka një rastësi pozitive i cili është plotësimi i afatit 10 vjeçar të dokumenteve te identifikimit. Kjo do të thotë që ato do të ripërtërihen për të gjithë shtetasit shqiptarë. Ky është një moment administrativ shumë i rëndësishëm. Shtetasit shqiptarë kur të aplikojnë pranë zyrave përkatëse në Shqipëri apo në konsullatën respektive të shtetit ku jetojnë, për tu pajisur me letërnjoftim elektronik apo pasaportë biometrike, të shtetit shqiptar, për herë të parë, apo kur i ka përfunduar afati i vlefshmërisë 10 vjecare së dokumentit apo është deklaruar i humbur, sipas Kontratës Koncesionare, duhet të deklarojnë të gjitha të dhënat e kërkuara përfshi edhe adresën e saktë të vendbanimit në shtetin e huaj ku ata jetojnë (sipas formularit përkatës). Patur parasysh mangësi të ndryshme në procesin e mëparshëm të rregjistrimit shteti shqiptar ka një shans që në kushtet kur është duke u plotësuar afati 10 vjecar i dokumentave identifikuese, ripërtëritja e tyre të kryhet i saktë. Kjo do të japë një pasqyrë të qartë edhe të rregjistrimit të shtetasve jashtë vendit patur parasysh realizimin në 2021 të zgjedhjeve parlamentare.
Në këtë drejtim vlen të theksohet rëndësia edhe cilësia e marrëdhënies me kompaninë koncesionare në procesin e rregjistrimit për këtë cështje. Shpresoj se kontarata koncesionare do të zbatohet sipas ligjit dhe pa shmangie.
Shtetasit që jeton jashtë vendit i duhet bërë e qartë që në plotësimin e dokumentave të reja identifikuese (pasaportë dhe kartë identiteti) të mos vendosë adresën e “vjetër” apo të shtëpisë së prindërve në Shqipëri por atë të vendqëndrimit në vendin pritës. Cdo shmangie duhet konsideruar fallsifikim dhe e paligjshme apo edhe si mosrespektim i marrëdhënies që shteti shqiptar ka me kompaninë koncesionare për këtë qëllim.

 

Të nderuar pjesëmarrës
Në Shqipëri pasionet politike shpesh kanë qenë shtysa që vendimarrjet e reformave zgjedhore të kenë qenë të vonëta ose të shpejta me konsesuse të momentit të fundit. Prej muajsh kam depozituar pranë komisionit të reformës zgjedhore një dokument i cili përmbledh eksperiencat dhe këndvështrimet ekzistuse të vendeve të ndryshme për të drejtën e votës së shtetasve që jetojnë jashtë shtetit të origjinës. Sot, falë edhe ndihmës së zyrës së OSBE-së në Tiranë dhe nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë, ky është diskutimi i parë në publik. Ai do të jetë i hapur për cdo kontribut të shoqërisë civile. Shpresoj që kolegët deputetë në Komisionin e Reformës Zgjedhore të gjejnë gjuhën e përbashkët për cështjen e votës së shtetasve jashtë vendit. Kjo vendimarrje është një mënyrë e re të bërit të politikës përballë publikut dhe shoqërisë. Po flasim për votues të majtë dhe të djathtë të cilët do të fitojnë një të drejtë të munguar. Kjo reformë e votës do të ndryshojë raportin e politikës me shtetasit që e votojnë. Ajo do të ndryshojë edhe vetë politikën shqiptare. E drejta e shtetasve tanë jashtë vendit për të votuar ekziston dhe funksionon. Nuk po falim dhe sajojmë gjë. Thjesht duhet të kuptojmë se kemi ndryshuar dhe nuk mund ta përkufizojmë politikën me kufij gjeografikë. E drejta duhet të shkojë tek shtetasi dhe jo e kundërta.

Ju faleminderit

 

Të rejat e fundit