Postuar më:21/03/2018

Votohet në parim projektligji “Për Diasporën”

komisioni

Projektligji ‘Për Diasporën’ u votua në parim në Komisionin për Politikën e Jashtme, duke siguruar edhe mbështetjen e opozitës. Në datën 28 mars do zhvillohet diskutimi dhe votimi nen për nen. Ministri i Shtetit për Diapsorën z. Pandeli Majko, i cili prezantoi para komisionit projektligjin, tha se ai përfshin të gjitha problematikat dhe institucionet e interesuara që mbulojnë këtë fushë marrëdhëniesh nga ana e politikës shtetërore. Sipas tij, projektligji mbështetet në kërkesat urgjente për implementimin e plotë të dispozitave kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve.

“Projektligji gjen mbështetje në nenin 8 të Kushtetutës, i cili parashikon se Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit, për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare. Gjithashtu, projektligji është në harmoni dhe në frymën e standardeve ndërkombëtare, të konsoliduara në një sërë aktesh, të tilla si; Karta e OKB-së, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike. Në raport me legjislacionin e zakonshëm projektligji nuk krijon përplasje, pasi legjislacioni aktual ndjek të njëjtën frymë, por në të njëjtën kohë, ky legjislacion dëshmon pamjaftueshmërinë për adresimin e plotë të nevojave të diasporës”, – sqaroi ndër të tjera z. Majko. Kalimin e projektligjit, Ministri Majko e cilëson si momentin kur shteti shqiptar nuk do ta trajtoje më diasporën si një faktor të jashtëm.

Përpara fillimit të mbledhjes, kryetarja e Komisionit znj. Mimi Kodheli tha se ligji do të jetë një garanci e mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, për promovimin e pjesëmarrjes së tyre më aktive në zhvillimet e vendit të origjinës.

Të rejat e fundit