Postuar më: 30/01/2018

Z. Majko, në Ministrinë e Jashtme Italiane

pandeli1

Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko u prit te martën nga një delegacion i Ministrisë së Jashtme Italiane, i kryesuar nga z. Luigi Vignali. Në qendër të diskutimeve ishte komuniteti shqiptar në Itali, i cili përfaqëson komunitetin e dytë më të madh në këtë vend. Megjithatë Ministri Majko theksoi se rëndësia e këtij komuniteti qëndronte tek cilësia e jo sasia, pasi siç tha, ka kontribuar shumë në të gjitha fushat, si ato të kulturës, shkencës, ekonomisë e arsimit. Ndërsa u ndal tek eskperiencat e emigracionit arbëresh dhe atij të pas viteve 90-të, z. Majko tha se diaspora shqiptare ka prodhuar gjithnjë figura të spikatura. Ministri informoi zyrtarët e Ministrisë së Jashtme Italiane mbi ndryshimet normative që po bëhen në lidhje me diasporën dhe theksoi nevojën e shkëmbimit të eksperiencave mes administratave të të dyja vendeve. Z. Majko foli mbi ecurinë e përpjekjeve për tu garantuar votën shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Gjatë diskutimeve u prekën çështje të tjera të rëndësishme që shqetësojnë shqiptarët e Italisë, si ajo e pensioneve dhe sigurimeve shëndetësore. Ministri parashtroi kërkesat dhe gatishmërinë tij për krijimin e lehtësirave për komunitetin shqiptar atje. Bashkëpunimi për projekte të përbashkëta mes shtetit shqiptar dhe atij italian ishte një tjetër temë e rëndësishme e prekur në bisedime.

Të rejat e fundit