Postuar më:15/05/2018

Zyrtarët e lartë në Marche: “Projekti për shqipen, i realizueshëm”

1 7

Kurset e gjuhës shqipe në shkollat italiane të rajonit të Marche mund të bëhen shumë shpejt realitet. Në takimin e zhvilluar me Presidentin e këtij rajoni, z. Luca Ceriscioli dhe Kryetaren e Bashkisë së qytetit të Ancona-s z. Valeria Mancinelli, z. Majko avancoi sërish kërkesën për mundësimin e kurseve të gjuhës në ambientet e shkollave. Të dy zyrtarët e lartë e vlerësuan si tepër interesant projektin, i cili siç thanë, i shërben jo vetëm komunitetit shqiptar por edhe pasurimit kulturor dhe zhvillimit të rajonit.

2 1

3 1
“Është një projekt që mund të propozojmë dhe avancojmë. Është interesant jo vetëm për brezin e tretë shqiptar, i cili ka mundësinë që në mënyrë të strukturuar të mësojë gjuhën e origjinës, por edhe për fëmijët italianë që dëshirojnë të njohin gjuhën dhe kulturën shqiptare. Do propozojmë që fillimisht projekti të zbatohet në qytetet e mëdha si Ancona, ku edhe përqendrohet numri më i madh i shqiptarëve. Pasi të shohim se si do të funksionojë, mund të shtrihet edhe në qytete të tjera”, tha Presidenti i rajonit të Marche.

4 1

5 1

Ai përmendi lidhjet e forta të rajonit me Shqipërinë, duke u ndalur në veçanti tek raporti i shkëlqyer tregtar, siç e quajti. Zyrtari i lartë shoqërohej në takim nga një këshilltare shqiptare, fakt të cilin e përmendi që në fillim të takimit. Duke e vlerësuar maksimalisht këtë gjë, z. Majko pohoi se ‘pikërisht ky ishte profili i shqiptarëve që duam’.

Ndërkaq, Kryetarja e Bashkisë së Ancona-s përmendi rolin e rëndësishëm që ze komuniteti shqiptar në këtë qytet.
“Ashtu siç e dini, qyteti i Ancona-s është tashmë një copëz Shqipëri, në kuptimin e mirë të fjalës. Këtu, komunitet shqiptar është ndoshta më i madhi e më i integruari. Jemi totalisht dakord dhe të disponueshëm për të ndihmuar në ofrimin e kurseve të gjuhës shqipe ne shkollat publike”, ishin fjalët e saj.

Të rejat e fundit