Postuar më: 14/05/2019

Fondi Shqiptar i Zhvillimit për Diasporën dhe Instituti “AlbShkenca” organizojnë takimin ndërkombëtar “Kërkimi Shkencor në Hapësirën Mbarë shqiptare dhe Roli i Diasporës Shkencore”

Fondi Shqiptar i Zhvillimit për Diasporën dhe Instituti “AlbShkenca” nën kujdesin e Ministrit të Shtetit për Diasporën, organizojnë takimin e 14-të ndërkombëtar “Kërkimi Shkencor në Hapësirën Mbarëshqiptare dhe Roli i Diasporës Shkencore”. Ky event, i cili pritet të mbledhë kërkues shkencorë dhe studiues shqiptarë nga mbarë bota do të mbahet në Tiranë, në shtator 2019.

FSHZHD dhe AlbShkenca, në këtë takim ftojnë të marrin pjesë studiues të të gjitha disiplinave nga rajoni dhe Diaspora, të cilët janë pjesë e strukturave akademike shqiptare, kërkues shkencorë të pavarur, shkencëtarë të huaj të lidhur ose jo me trojet shqiptare.

Qëllimi i këtij takimi shkencor ndërkombëtar është lehtësimi i komunikimit të ndërsjelltë mes kërkuesve shqiptarë me qëllim mundësimin e koordinimit shkencor më të mirë të mundshëm në territoret shqipfolëse, me Diasporë shkencore më të përparuar.

Ky takim do të jetë një hapësirë për të paraqitur arritjet më të reja të studiuesve në fushat përkatëse të ekspertizës.