Postuar më: 05/05/2019

Ministri i Shtetit për Diasporën vizitë pune në Ukrainë

Ministri i Shtetit për Diasporën zhvilloi një vizitë në Ukrainë ku ishte i ftuar në një forum diskutimi në Universitetin Shtetëror në qytetin Izmail, ku foli për bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.

“Ne jemi shumë të interesuar për të krijuar një kohezion në marrëdhëniet e munguara midis shqiptarëve të Ukrainës dhe vendlindjes. Këtë nuk po e bëjmë vetëm për shqiptarët e Ukrainës, kemi filluar një lëvizje të gjerë në të gjithë botën. Përpara pak javësh ne organizuam Samitin e Dytë të Diasporës, ku morën pjesë rreth 1400 pjesëmarrës shqiptarë nga vende të ndryshme të botës.

Dëshiroj t’ju them se me shqiptarët e Ukrainës kemi një afrimitet të veçantë, sepse në rastin e shqiptarëve të Ukrainës ekziston edhe fenomeni i ruajtjes së identitetit pa komunikim me vendlindjen, që për ne është një provë e fortë e ruajtjes së identitetit shqiptar. Por edhe një provë tjetër e respektit të thellë që ne kemi krijuar për Ukrainën, pasi ka qenë kjo shoqëri Ukrainase që ka lejuar që ky identitet të mos asimilohet, por të vazhdojë të ekzistojë. Kjo është arsyeja që në këto vitet e fundit marrëdhëniet midis dy popujve tanë janë forcuar më shumë”, u shpreh ministri gjatë fjalës së tij përshëndetëse.

Të pranishëm në forum ishin jo vetëm studentë shqiptarë por edhe studentë ukrainas, të cilët studiojnë kulturën dhe traditat shqiptare.