Postuar më: 25/04/2019

Ministri merr pjesë në ceremoninë e 60 vjetorit të krijimit të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”

Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko mori pjesë sot në ceremoninë e dekorimit të gjimnazit “Petro Nini Luarasi” nga Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, në 60 vjetorin e krijimit të saj.

Në fjalën e tij përshëndetëse ministri Majko vlerësoi kontributin e kësaj shkolle ndër vite në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj. “Gjimnazi “Petro Nini Luarasi” mbetet një koordinatë qytetarie për kryeqytetin. Dekorata më e madhe për këtë shkollë është puna e palodhur e mësuesve”.

Gjithashtu ministri vlerësoi nismën e veçantë të nxënësve të kësaj shkolle  “Një abetare për Diasporën “, nëpërmjet të cilës kanë bërë të mundur shpërndarje e abetareve në disa shkolla në Itali dhe Greqi.

 

Gjatë aktivitetit Presidenti i Republikës, z.Ilir Meta vlerësoi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, “Në shenjë mirënjohjeje me rastin e 60-vjetorit të themelimit, për veprimtarinë e çmuar arsimore, si dhe për edukimin dhe kultivimin e vlerave morale e njerëzore të brezave të rinj, duke i bërë shembull të qytetarisë në shoqëri”.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm drejtues të këtij institucioni arsimor, ish-mësues dhe arsimtarë, nxënës dhe ish-nxënës të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.