Postuar më: 24/06/2019

Ndryshohet ligji / Bashkitë në Shqipëri, zyra për Diasporën dhe migracionin

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi propozimin e Këshillit të Ministrave për ndryshim dhe disa shtesa në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. Kjo është një nismë e Ministrit të Shtetit për Diasporën.

Në çdo bashki do të ngrihet një strukturë e veçantë për çështjet e Diasporës dhe migracionit që do të ketë si fokus forcimin e komunikimit dhe marrëdhënieve me komunitetin e shqiptarëve në Diasporë. Gjithashtu do të bëjë të mundur nxitjen e organizimeve, brenda dhe jashtë vendit, për mbajtjen e komunikimit të vazhdueshëm në ndihmë dhe mbajtjen e komunikimit dhe forcimin e marrëdhënieve me Diasporën shqiptare.

Në këto zyra të posaçme prioritet do të jetë dhënia e ndihmës dhe e informacionit për çështje që lidhen me fitimin e shtetësisë shqiptare. Gjithashtu do të ofrohet informacion për të interesuarit nga Diaspora dhe migracioni për legjislacionin shqiptar në fushën e investimeve, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për çështjet e investimeve.

Fokus i këtij ligji është nxitja e politikave shtetërore për zhvillim e raporteve me Diasporën duke nxitur bashkëpunim, mbështetjen dhe mbrojtjen e të drejtave e të gjithë shqiptarëve jashtë vendit.

Ky ligj është në harmoni dhe me frymën e standardeve ndërkombëtare të konsoliduar në një sërë aktesh si: Karta e OKB-së, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike etj.

Në link-un e mëposhtëm mund të lexoni dokumentin e plotë:

LIGJ Nr. 38/2019 PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.139/2015, “PËR VETËQEVERISJEN VENDORE”